Obama premton hakmarrje ndaj Rusisë: Po pse u vonua kaq shumë?

16.12.2016 11:10:39

Presidenti amerikan, Barack Obama tha se SHBA do të ndërmarrë veprime kundër Rusisë si përgjigje për ndërhyrjen kibernetike në zgjedhje.

Obama tha për NPR News se SHA do të përgjigjet “në një kohë dhe në një vend sipas zgjedhjes sonë”.

Obama tha se disa përgjigje do jenë të qarta dhe publike, të tjerat jo.

 

Ai tha se ka folur direkt me presidentin rus, Vladimir Putin për këtë çështje.

Por përse u desh kaq shumë që Obama të flasë për çështjen e sulmeve kibernetike?

Disa zyrtarë qeveritarë i thanë NBC se kjo ka ardhur për shkak se Obama mendonte se Hillary Clinton do i fitonte zgjedhjet.

Ai mendonte se sulmet kibernetike nuk po interferonin në zgjedhje.

Një zyrtar tha se Obama u përball me Putinin në samitin e G-20 në Kinë dhe premtoi “pasoja të paspecifikuara” nëse vazhdonin ndërhyrjet kibernetike.

Çështja e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane ka provokuar një tension mes agjencive të inteligjencës dhe presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Agjencitë sekrete thonë se Rusia ndërhyri për të ndihmuar në zgjedhjen e Trump.

Ky i fundit tha se nëse “Shtëpia e Bardhë e dinte, përse priti kaq shumë për të reaguar?”

“Pse u ankuan vetëm pasi Hillary humbi zgjedhjet,” tha Trump.