OKB në pritje të “qasjes efektive” në Mianmar

21.08.2018 15:24:54

Kombet e Bashkuara janë duke pritur për “qasje efektive” në Mianmar, rajon nga i cili rreth 700,000 myslimanë Rohingya kanë ikur si pasojë e një aksioni ushtarak.
Agjencitë e OKB-së për Zhvillim dhe ajo për Refugjatë (UNDP dhe UNHCR), kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e laureates së Çmimit Nobel, Aung San në muajin qershor për të lejuar myslimanët Rohingya të kthehen nga Bangladeshi në shtëpitë e tyre.

Koordinatori i OKB-së në Mianmar, Knut Osby ka thënë se kërkesa për autorizim të vizitave të stafit janë vonuar apo është ofruar qasje në vetëm disa zona të kufizuara.

Osby ka thënë se OKB-ja nuk ka pranuar një ofertë qeveritare për të punuar në vetëm disa fshatra dhe nuk do të dërgojë ekspertë pa negociuar një pakt më të mirë.

“Ata janë gati të nisen kur të kemi qasje efektive. Ne duhet të kemi mundësi për të bërë punën si duhet”, ka thënë ai.

Komentet e tij kanë ardhur pavarësisht një njoftimi të Suu Kyi, e cila ka thënë të martën se Qeveria ka “siguruar qasje” për OKB-në të punojë në 23 fshatra në veri të Shtetit Rakhine.

Kombet e Bashkuara janë penguar dhe u është ndaluar qasje në Shtetin Rakine nga gushti i vitit të kaluar, prej kur Qeveria ka akuzuar agjenci të kësaj organizate për furnizim të militantëve Rohingya me ushqim.

Më shumë se 700,000 myslimanë Rohingya janë larguar nga Mianmari, si pasojë e një dhunës ushtarake që kanë nisur në muajin gusht të vitit të kaluar, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të një grupi të armatosur Rohingya.

Mianmari kundërshton akuzat për spastrim etnik dhe hedh poshtë shumicën e akuzave për mizori, duke fajësuar myslimanët Rohingya si “terroristë”.