“Pa e pas një hall, s’vijnë në këtë derexhe”, deputeti i VV-së reagon për deklaratat ndaj Kurtit

28.12.2019 21:20:31

Deputeti i ri i VV-së, Mefail Bajqinovci ka reaguar për deklaratat e anëtarit të Nismës, Haxhi Hoti ndaj liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci është shprehur se sipas tij, pa e pasur një hall të madh, nuk do të vinin këto deklarata nga persona të tillë, shkruan lajmi.net.

“Është krejtësisht e pritshme që modeli ynë rrezikon aleanca, e shkallmon skema të krimit politik e ekonomik jo vetëm ndëpartiak në Kosovë, por edhe ndërkufitar”, ka shkruajtur ai.

Postimi i plotë:

Fitorja e LVV’së më 6 Tetor, nuk ishte një fitore e zakonshme e një partie në zgjedhje. Në zgjedhjet e fundit, Kosova e tejkaloi Ballkanin sepse nxorri fitues një subjekt dhe një kryeministër që:

Nuk është i korruptuar;

Nuk ka mafi e as nëntokë ekonomike e politike prapa vetës.

E dikush që s’është i korruptuar dhe s’kontrollohet nga mafia, është rrezik për hajna.

Kjo, që një shtet të ketë një udhëheqje me një kredibilitet të tillë, përgjithësisht nuk ndodhë në Ballkan.

Është krejtësisht e pritshme që modeli ynë rrezikon aleanca, e shkallmon skema të krimit politik e ekonomik jo vetëm ndëpartiak në Kosovë, por edhe ndërkufitar.

Prandaj, tani shohim gjithëfarë skemash të sofistikuara e të koordinuara ndërmjet akterësh politik e institucional në Kosovë e në rajon për ta penguar vënien në jetë të projektit antikorrupsion në Kosovë. Përtej kësaj, rreziku i të mirave materiale të grabitura shtetit e qytetarëve, që vjen nga projekti antikrim, i nxitë krerët e korrupsionit të instruktojnë, motivojnë e nxisin në forma të ndryshme njerëz të strukturave të tyre për të kërcënuar me jetë bartësit kyç të këtij projekti.

Pa e pas një hall të madh, nuk vijnë në këtë derexhe.