Pacolli fton bizneset turke të investojnë në Kosovë

27.10.2017 15:23:13
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Turqi, Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, e hapi Forumin e biznesit, Kosovë-Turqi, së bashku me Ministrin e Zhvillimit të Turqisë, Lütfi Elvan, dhe në prezencën e shumë kompanive, si nga pala turke, por edhe nga ajo e Kosovës.

Me këtë rast, kryediplomati kosovar i ka vlerësuar investimet e deritanishme turke në Kosovë, duke i bërë thirrje atyre, që investimet të rriten edhe më shumë.

Ai ka përmendujr përparësitë që ofron tregu i Kosovës, afërsia në mes dy vendeve dhe dy popujve, pozicioni gjeografik i Kosovës më afër Evropës, lehtësimi i procedurave për të bërë biznes në vendin tonë dhe Ligjin për Investime Strategjike.

Duke vlerësuar Kosovën si një parter të rëndësishëm tregtar, që ka bërë reformat ë rëndësishme për zhvillim ekonomik gjatë viteve të fundit, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Turqisë, Lütfi Elvan, ka theksuar se investimet e deritanishme turke në Kosovë merren si shembull edhe për vendet e tjera.

Në këtë drejtim, ai gjithashtu, i bëri ftesë kompanive turke që të rrisin edhe më shumë investimet e tyre në Kosovë, duke vlerësuar se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, i jep përparësi kompanive turke në raport me kompanitë konkurrente nga rajoni.

Turqia bën pjesë në grupin e vendeve me prezencën më të madhe të investimeve në Kosovë. Deri më tani, në Kosovë janë regjistruar gjithsej afër 700 biznese turke.