Sonte, ora 20:45, PSG – Nice, Cavani – Mbappe kundër Balotellit

27.10.2017 15:17:36

Java e 11-të e Ligës së Parë Franceze “ndizet” që sonte në mbrëmje me një përballje emocionuese mes PSG dhe Nice, që do të luhet në orën 20:45, në “Parc des Princes”. Skuadra e Unay Emery do të jetë super e motivuar ndaj këtij kundërshtari, që në njëfarë mënyre e nxorri nga gara për titull sezonin e kaluar, duke i rrëmbyer plot 4 pikë, 1 në barazimin 2-2 në Paris dhe 3 të tjera në suksesin 3-1 të fazës dytë, ku një finalizim mban firmën e Mario Balotellit. Në fakt, rrethanat kanë ndryshuar katërcipërisht në sezonin aktual. PSG kryeson me 4 pikë më shumë se Monaco, ndërsa Nice është në vendin e 14-të me 10 pikë, teksa ka pësuar 3 humbje radhazi. Ndoshta formacioni i Lucien Favre beson se mund të shfrytëzojë mungesën e Neymar, i ndëshkuar me karton të kuq në përplasjen e “Velodrome” me Marseille, por parizienët mund të mbështeten te Edinson Cavani dhe Kylian Mbappe, dy sulmues “rrace”, që mund ta zgjidhin ndeshjen nga momenti në moment.

Supersport ofron të tjetër përballje interesante sonte në mbrëmje nëpërmjet kanalit Eurosport. Në orën 20:30 do të nisë takimi hapës i javës së 10-të të Bundesligës mes Mainzit dhe Eintrachtit të Frankfurtit, me vendasit që synojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për t’u ngjitur sa më lart në tabelë, pas një fillimsezoni me shumë ulje-ngritje.