Në forumin e A5, vendeve të Ballkanit perëndimor, anëtare dhe kandidate për anëtarësim në NATO, që po zhvillohet në Shkup, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, shkaktoi vëmendje të madhe, me një pjesë të adresimit të tij për homologun e Bosnjës, që vinte nga komuniteti serb.
Sipas informacioneve të brendshme, delegacioni boshnjak, duke vepruar nën direktivat e Serbisë, pengonte përfshirjen e Kosovës si vend aspirant në A5, paradhoma e hyrjes në NATO.
Më poshtë fjalët e zotëri Pacollit që morën miratimin në heshtje dhe reagimin e turpëruar të homologut të tij boshnjak që duke ju përgjigjur atij tha se në komunikatën përfundimtare, me dialog do të përfshijnë pozicionin e Kosovës si vend aspirant.
Pjesa boshnjakisht erdhi pasi pjesa kryesore e fjalimit ishte anglisht, si për t’i thënë bashkëbiseduesit të tij boshnjak, por dhe delegacionit serb: OK, nuk merrni vesh anglisht, po ju flas në mënyrë që ju ta kuptoni më mirë.
Ju e dini rëndësinë absolute dhe relative të këtij forumi si paradhomë e NATO-s, për të gjithë ne individualisht dhe për Kosovën posaçërisht.
Hyrjen e Kosovës në NATO nuk e pengon dot askush prej vendeve të rajonit, madje as dhe mund ta vonojë atë.
E di se Bosnja është njeri nga shtetet që po e pengon këtë anëtarësim.
Para jush, dua ta pyes homologun e Bosnjës :
Pse ju nuk doni që Kosova të përfshihet në këtë paradhomë të NATO-s?
A ju krijon ky fakt probleme të brendshme, probleme ndëretnike ? Nuk e besoj.
A keni ndonjë pakënaqësi me trajtimin e minoritetit boshnjak në Kosovë ? Ju e dini, se yjet e etnive në flamurin e Kosovës janë të barabartë. Ju e dini sa mirë shkojnë shqiptarët me boshnjakët kudo, në Kosovë dhe jashtë saj.
Kjo që ju po bëni në fakt është pasojë e asaj se nuk doni të keni marrëdhënie me ne, se nuk doni lëvizje të lirë reciproke të shtetasve tanë në territoret respektive.
Pse ky nivel i ulët marrëdhëniesh ?
Pse e kërkon Serbia këtë ? Më duket se jeni gabim. Dhe ju nuk duhet të rrini pas Serbisë. Serbia me Kosovën ka marrëdhënie të një niveli të caktuar ; bisedon në Bruksel, ka lëvizje të lirë të qytetarëve.
Nëse ju nuk e njihni Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, çfarë shteti mendoni se gjendet në territorin tonë ? Serbia ? As Serbia nuk e pretendon këtë.
Jo të nderuar zotërinj, në territorin e Kosovës, falë aksionit të NATO-s për të ndalur genocidin, falë shumë rezolutave ndërkombëtare, administrimit ndërkombëtar, vullnetit të popullit shprehur me votën e parlamentit në 17 shkurt 2008, falë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së 2011, ka një shtet sovran të pavarur. Edhe Serbia e di këtë dhe e pranon këtë realitet.
Nuk është në shpatullat e askujt prej nesh, të kthejë rrotën e historisë mbrapa. Procesi i integrimit tonë ndërkombëtar është i pakthyeshëm.
Atëherë ju pyes ?
Çdo të bëni ju, kur Serbia të heqë veton për anëtarësimin tonë në OKB ?
A nuk ju duket jo normale që ju të ndiqni këtë hap të Serbisë, dhe pastaj të veproni kundrejt nesh, ndonëse jemi afër ?
JU ftoj të jeni largpamës. Ne jemi tregje të vogla dhe prodhues të vegjël që kemi nevojë për njeri tjetrin. Ne kemi histori të hershme, aktuale bashkëjetese me njeri tjetrin. Mos u vononi. Po u vonuat, nesër s’do të ketë vend për ju në tregjet tona.
Dhe një ftesë për vendet anëtare të NATO-s qe janë këtu.
Do ju lutesha: Kuptojeni rëndësinë simbolike që ka lajmi i anëtarësimit në Kartën e Adriatikut për opinionin tonë publik. Të punojmë së bashku ta inkurajojmë opinionin publik të Kosovës, me lajmet që Kosova është pjesë e bashkësisë perëndimore të shteteve dhe këtë nuk e lëviz dot askush.