Pacolli: Kosova e pasluftës ka përparuar shumë ngadalë

12.05.2017 17:18:51

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të kolegjit “Globus”, me ç’rast është shprehur se çdo njeri e ka një vend të caktuar në shoqëri dhe se rinia duhet ta marrë fjalën kryesore me potencialin e vet për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Ai ka thënë se Kosova pas luftës ka përparuar ngadalë, pavarësisht se ka pasur premtime dhe fjalë të mëdha.

“Nëse kjo ecje e ngadalshme e Kosovës së pasluftës do të ndodhte në vitet ‘60-’70, asgjë nuk do të ishte katastrofale, por jo në një shoqëri që ecën me shpejtësi të dritës”, ka thënë ai.

Në ligjëratën e tij ai ka folur edhe për përvojën e tij jetësore në aspektin e kreativitetit.

“Kush ka ide, asnjëherë nuk ndalet. Unë fillimin e kam bërë duke imituar tipin tim. Gjejeni tipin e juaj dhe filloni ta kopjoni. Do të shihni se do të bëheni si ai. Ëndrrat janë njerëzore. Besoni në bukurinë e ëndrrave të juaja dhe do të jeni të suksesshëm. Në veprime duhet të jenë dy gjëra: kalkulimi dhe ndjenjat. Besoni ne ndjenjat e juaja, në shpirtin e juaj, në dashurinë e juaj. Unë kam vepruar në bazë të ndjenjave, i shtyrë prej ndjenjave. Në fund të ditës kam pasur sukses”, ka thënë Pacolli.