Pacolli: Qeveria s’duhet të ketë frikë për marrëveshjet e sigurisë kufitare

09.09.2016 16:32:32

Kryesuesi i delegacionit për kartonin e gjelbër Rrahim Pacolli ka theksuar se pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke te policave te sigurimit kufitar në Bruksel në qershor te vitit 2015, ku ishin prezent kryeministri i Kosovës, ai i Serbisë dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së znj.Mogherini, të dy shtetet kanë qenë të obliguara t’a zbatojnë marrëveshjen.

“Siç jeni në dijeni, pala kosovare është e vetmja që ka respektuar marrëveshjen në fjalë ndërsa pala serbe ka detyruar kosovarët që t’u nënshtrohen pagesave shtesë dhe t’i bartin targat provuese”, ka thënë Pacolli.

Gjithashtu Pacolli ka thënë se të gjithë janë në dijeni se që nga viti i kaluar, ai ka kërkuar ngrirjen e marrëveshjes deri sa të fillojë pala serbe ta zbatojë me përpikmëri.

“Çdo ditë, në territorin e Kosovës hyjnë kamionë që bëjnë transportin e mallrave nga Serbia. Po të ishte ngrirë kjo marrëveshje, bizneset serbe t’a obligonin shtetitn e tyre që t’a zbatojë marrëveshjen”, ka shtuar Pacolli.

“Deklaratat e fundit lidhur me arritjen e marrëveshjes për njohjen e targave janë politike. Qeveria e Kosovës nuk duhet të ketë frikë të heqë dorë nga zbatimi i marrëveshjes meqenëse është duke u zbatuar vetëm nga njëra palë.E vetmja mënyrë për t’i ndaluar këto shkelje është ngrirja e marrëveshjes deri në respektimin e zbatimin e plotë të saj”, thuhet në një komunikatë nga Pacolli.