Pacolli takohet me Mogherinin, jepin një lajm për liberalizimin e vizave

29.09.2017 10:57:13

Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka thënë gjatë një takimi të parës së diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, se “liberalizimi i vizave është hapi vendimtar, që duhet kryer tani sepse ndikon fuqishëm në perspektivën e të rinjëve kosovarë, që janë të edukuar mirë, me mendje të hapur dhe për një Kosovë me frymë të re evropiane”.

Edhe shefja për politikë të jashtme të BE-së,  ka ndarë të njëjtin vlerësim për rininë dhe shoqërinë kosovare, duke theksuar se viti i dytë i mandatit të këtij Komisioni do të jetë vendimtar për integrimin europian të rajonit, të Kosovës dhe pse jo për çështjen e liberalizimit të vizave në veçanti.

Në vazhdim të takimit është diskutuar edhe për fazën e re të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me këtë çështje Pacolli, ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për dialog, duke e konsideruar se është shumë e rëndësishme që të ketë një afatizim kohor, përderisa Mogherini, ka kërkuar zotim nga pala kosovare për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Perspektiva e përgjithshme evropiane e vendit tonë dhe vendeve të rajonit; përmbushja e reformave të brendshme të vendeve që synojnë anëtarësimin; fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal si ai i Procesit të Berlinit kanë qenë tema të tjera të zhvilluara në kuadër të këtij takimi.

Vizita e kryediplomatit kosovar në Bruksel është e para që kur ai pranoi detyrën e tij zyrtare.

Gjatë qëndrimit në Bruksel ai ka takuar edhe Përfaqësuesit e tjerë të Lartë të BE-së nga Parlamenti Evropian, Komisioni si dhe ishte pritur në selinë qëndrore të NATO-s nga Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller.