Pacolli uron SHBA për Ditën e Pavarësisë

04.07.2018 19:50:28

Zëvendëskryeministri i dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka përgëzuar qytetarët amerikanë me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, duke thënë se kjo datë simbolizon triumfin e lirisë, festën e diversitetit dhe harmonisë mes njerëzve, është datë kur njeriu dhe kombi i lirë bëhet zot i vetvetes.

Pacolli, përmes një status në Facebook shkruan se Kosova si vend i ri, është pasqyrim i vlerave të përbashkëta me ato të kombit amerikan, dhe për këtë arsye qytetarët tanë admirojnë pafundësisht modelin qeverisës amerikan, duke e bërë që partneriteti me SHBA të jetë i përjetshëm.

Postimi i plotë i Pacollit:

“4 Korriku, i vitit 1776, njëherësh Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënon një ditë monumentale për SHBA-të, si dhe një ditë kthese në historinë e re të njerëzimit. Kjo datë është e rëndësishme për secilin komb dhe për secilin vend liridashës.

Kjo datë simbolizon triumfin e lirisë, festën e diversitetit dhe harmonisë mes njerëzve, është datë kur njeriu dhe kombi i lirë bëhet zot i vetvetes. 4 Korriku, 1776, lartëson postulatet fondamentale të humanizmit, lartëson lirinë dhe pavarësinë e një kombi, si e drejtë burimore dhe e përjetshme.

Republika e Kosovës si vend i ri, është pasqyrim i vlerave të përbashkëta me ato të kombit amerikan, dhe mu për këtë, qytetarët e Republikës së Kosovës admirojnë pafundësisht modelin qeverisës amerikan. Kjo bënë që partneriteti ynë me SHBA-të, të jetë partneritet i përjetshëm unik, burimor.

Si qytetarë të Republikës së Kosovës, të një vendit të ri, të një bote të lirë, ne lartësojmë ditët e vendit nga i cili shumë kombe dhe qytetarë nga të katër anët e globit patën rastin të mbështeten, të përkrahen, ta marrin si model.

4 Korriku, 1776, dhe 17 Shkurti, 2008, për ne, janë vazhdimësi e historisë së re të njerëzimit!

Andej dhe këtej oqeanit, ne festojmë bashkë, përjetësisht! Urime qytetarëve të SHBA-ve!”, ka shkruar Pacolli.