Tryeza që përçau edhe më shumë politikën, larg konsensusit për dialogun me Serbinë

04.07.2018 19:46:32

Po thirren për të afruar partitë në qëndrimet e tyre karshi një procesi shumë të rëndësishëm siç është dialogu me Serbinë. Por tryezat e diskutimeve, më shumë po i përçajnë partitë se po i bashkojnë ato
Njëjtë ndodhi edhe sot me tryezën e thirrur nga organizata “Grupi Ballkanik për Politika”, që udhëheqet nga Naim Rashiti.

Edhe pse u tha se në tryezë do të marrin pjesë të gjithë liderët politikë duke përfshirë kryeparlamentarin dhe kryeministrin, një gjë e tillë nuk ndodhi, shkruan lajmi.net.

Nga PDK-ja ishte Enver Hoxhaj, kurse nga AAK-ja, Blerim Kuçi e Muharrem Nitaj.

Në fakt tryezën e refuzoi Vetëvendosja ende pa nisur mirë ajo. Partia e Albin Kurtit refuzoi pjesëmarrjen në këtë takim, duke kundërshtuar edhe një herë udhëheqjen e dialogut nga Thaçi.

Në një komunikatë për media kjo parti dha arsyet pse e refuzoi ftesën për pjesëmarrje në këtë takim.

“Tryezat e tilla janë shpeshtuar shumë kohëve te fundit dhe duhet të reduktohen. Tryezat e tilla bëhen edhe më problematike kur formati i propozuar dhe organogrami për diskutim në tryezë përputhet me formatet e zyrës së Presidencës që drejtohet nga një person i diskredituar dhe i deligjitimuar si z.Hashim Thaçi. Ajo që na duhet është rikthimi i çështjes në Kuvend”, thuhet në njoftim.

Se kjo tryezë nuk do të jetë e suksesshme u dëshmua disa minuta pasi filloi. Kjo pasi nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri u largua nga takimi menëjherë.

Ai tha se për temën e dialogut duhet të bisedohet në Kuvend.

“LDK-ja distancon veten publikisht nga një çështje e tillë deri sa të diskutohet në Kuvend. Duhet të sillemi përgjegjshëm, sot u pa mënyra se si e injorojnë pjesëmarrjen e opozitës. Ne e dhamë qëndrimin tonë dhe e lëshuam mbledhjen”, theksoi Lutfi Haziri.

Si të dështuar këtë tryezë e cilësoi edhe kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti.

Ahmeti theksoi se partia e tij asnjëherë nuk do të merr pjesë në takime të këtij lloji, duke thënë se partitë janë larg konsensusit.

“Partitë prezentuan qëndrimet e veta me të cilat ne nuk u pajtuam. Besoj që iniciativa të tilla po konsumojnë arritjen e një marrëveshje. Nuk bëhet nevojë për ekip uniteti kur kemi Kuvendin për dialogun. Nuk u dakorduam për takimë tjera mirëpo nese janë të tilla nuk marrim pjesë”, theksoi Shpend Ahmeti.

Edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj e pranoi se për temën e dialogut kosensusi është ende larg.

Hoxhaj megjithatë tha se është pozitive që të gjitha partitë e shohin dialogun si zgjidhje.

“Ka dallime sa i përket qëndrimeve të partive politike mirëpo të gjitha partitë e shohin dialogun si zgjidhje të vetme. Pas adresimit të çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës ka interesim dhe vëmëndje të shtuar që ta ndihmojnë Kosovën në përmbylljen e shtetësisë së saj. Marrëveshja ligjore ka vetëm një kuptim dhe emër për ne dhe ajo është njohja e ndërsjellë”, deklaroi Enver Hoxhaj.

Tryeza të tilla për dialogun ishin organizuar edhe më parë, por duket se ato vetëm po i ndajnë partitë politike në vend.