Pacolli vazhdon lobimin intenziv në OBI

02.03.2019 15:53:29

Në ditën e dytë të vazhdimit të punimeve të sesionit të 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që po i zhvillon punimet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka vazhduar lobimin intenziv për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sipas komunikatës së MPJ, Pacolli e ka nisur sot ditën me takimet dypalëshe, që ka zhvilluar me ministrin e jashtëm të Bangladeshit, Abdul Momen, me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Khaled Al Ahmad Al Sabah, ministrin e jashtëm të Gambisë, Mamadou Tangara, atë të Afganistanit, Salahuddin Rabbani si dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Në të gjitha këto takime, kryediplomati kosovar, Pacolli, ka diskutuar për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve, përderisa ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë dhe integrimin e plotë të shtetit tonë në Organizatat Ndërkombëtare.

Hapja e Ambasadave të Republikës së Kosovës në Kuvajt e Bangladesh dhe emërimi i një Ambasadori jo-rezident në Afganistan ka qenë njëra nga temat e diskutimeve të kryediplomatit kosovar, Pacolli, në takimet e ndara, që i ka zhvilluar me homologët e tij nga Kuvajti, Bangladeshi dhe Afganistani si dëshmi e përkushtimit dhe zotimit të vendit tonë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dy-palësh në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Në takimin me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Pacolli ka diskutuar mbi bashkëpunimin për promovimin e investimeve dhe tregtisë si dhe pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në ExpoDubai 2020, ndërsa gjatë bashkëbisedimit me ministrin e jashtëm të Gambisë, ai e ka ftuar këtë të fundit, që ta vizitojë së shpejti vendin tonë.