Pajaziti për murin në Veri: I papranueshëm dhe ilegal, të rrënohet menjëherë

23.12.2016 18:03:38

Shefi i Grupit Parlamentar, nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se muri në Mitrovicën veriore duhet të rrënohet menjëherë.

“Ky mur paraqet simbolin më të shëmtuar që është instaluar nga Beogradi. Ky mur reflekton në marrëdhëniet mes komuniteteve dhe në imazhin e Republikës së Kosovës. Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë duhet të jenë të vetëdijshëm që marrëdhëniet të mos kthehen mbrapa. Është i pa pranueshëm dhe ilegal duhet të rrënohet menjëherë. Ka kaluar koha e mureve që ndanin njerëzit”, ka thënë Pajaziti, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, të gjithë deputetët e PDK-së janë të shqetësuar dhe si grup parlamentar kërkojnë rrënimin e murit.

“Ajo që më së shumti na shqetëson është mungesa e informatave rreth këtyre zhvillimeve. Papritur e kemi kuptuar se një mur po ndërtohet aty. Kam disa pyetje për Isa Mustafën dhe Edita Tahirin, a keni qenë në dijeni për këtë mur a është e vërtet që dikush ka pranuar që ky mur i urrejtjes të redizajnohet me shkallë?”, ka thënë Pajaziti.