Pandemia po shkatërron vendet e punës në Shqipëri

Pandemia po shkatërron vendet e punës në Shqipëri

07.05.2020 15:36:53

Sipas Bankës Botërore kriza e pandemisë së COVID-19 do të lërë pasoja të mëdha për ekonominë e Shqipërisë.

BB, thotë se si fillim po shkatërron vendet e punës, sidomos për punonjësit e kualifikuar.

Në raportin “Diagnostikimi Sistematik i Vendeve”, grupi i Bankës Botërore thotë se kriza shëndetësore do të detyrojë shumë punonjës që të rrinë në shtëpi duke pakësuar të ardhurat e familjeve dhe mbyllje të bizneseve.

Raporti nga BB tregon se shumë familje do të hasin vështirësi financiare pasi vendet e punës do të shkatërrohen, disa individë që përfitojnë të ardhura do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për anëtarët e familjes, do qëndrojnë në karantinë apo do të trajtohen për sëmundjen e tyre.

Për më tepër kriza do të detyrojë biznese në thelb të kyçe që të mbyllen, do të prishë marrëdhëniet e zinxhirit të prodhimit apo do të lenë të largohen punonjës që kanë krijuar eksperiencë mbi punën, pra mund të lihen shenja të përhershme në ekonomi.

Sakaq, Banka Botërore vlerëson se impakti në ekonominë shqiptare ndihet edhe më shumë po të kemi parasysh që COVID-19 vjen vetëm pak muaj pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të shkuar i cili shkaktoi dëme të mëdha materiale por mbi të gjitha edhe njerëzore, shkruan shekulli.

Këto dy problematika pritet që ta ndikojnë në mënyrë dramatike ekonominë gjatë këtij viti. Rënia e eksporteve dhe pasiguria për turizmin cilësohen po ashtu si elementë që mbështesin parashikimin pesimist.

Në raport thuhet se porositë e eksportit janë përmbysur në një kohë kur partneri tregtar më i rëndësishëm, Italia po kalon një situatë të vështirë ekonomike. Po kështu po bëhet evidente nga dita në ditë që Shqipëria do të përballet me një sezon turistik veror jashtëzakonisht të varfër.