Pandemia shtyn kthimin e shtetasve kosovarë nga Siria

09.01.2021 18:20:50

Mbi 100 shtetas të Kosovës besohet se vazhdojnë të mbesin në Siri dhe ende nuk dihet se kur do të riatdhesohen. Kthimi i tyre ishte proklamuar pas kthimit të grupit të parë të kosovarëve nga Siria, në prill të vitit 2019.

Institucionet nuk japin shifrat zyrtare që i posedojnë se sa shtetas të Kosovës ende ndodhen në Siri.

“Fatkeqësisht, ne ende kemi qytetarë në Siri, kryesisht, gra dhe fëmijë. Ne kemi numra të saktë, por për shkak të procesit, për fat të keq nuk mund t’i bëjmë publike”, tha Lulzim Fushtica, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Por, organizatat joqeveritare që merren më këtë çështje thonë se numri i kosovarëve në Siri, mund të jetë deri në 120.

Bedri Elezi që drejton Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare thotë se shtetasit e Kosovës janë të ndarë në dy grupe.

“Njëri grup është që janë të vendosur në kampet Al-Hol dhe Roj, që janë diku rreth 70-80 persona, dhe është grupi tjetër që janë rreth 50 persona që gjenden jashtë kampeve, por që janë në zonat e kontrolluara nga al-Nusra apo fraksionet e tjera që nuk kanë qenë pjesë e IS-it (grupi militant, Shteti Islamik). Pra ata janë të lirë në qytete, e fshatra që kontrollohen nga al-Nusra apo al-Arasham”, tha Elezi.

Kthimi në Kosovë

Sipas këshilltarit të ministrit të brendshëm, Kosova ka ngecur në procesin e riatdhesimit të shtetasve të vetë për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit.

“Shumica e shtetasve tonë gjenden në kampet e kontrolluara nga forcat kurde. Por, aktualisht për shkak të pandemisë dhe kufizimi i lëvizjes, ne nuk kemi mundur të hartojmë një plan konkret me data se kur këta persona do të kthehen apo do t’u mundësohet kthimi në Kosovë”, tha Fushtica.

Ai shtoi se në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, çdo qytetarë ka të drejtë të kthehet në Kosovë, por kjo nuk garanton se ndaj tyre nuk do të ketë procese ligjore.

“Të gjithë ata që kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë kryer vepra të ndryshme, do të procedohen sipas ligjit në fuqi”, tha Fushtica duke shtuar se plani i riatdhesimit, duhet të koordinohet me partnerët strategjikë, veçmas me Shtetet e Bashkuara.

Por, Bedri Elezi thotë se mungesa e një plani konkret për kthimin e grave dhe fëmijëve nga Siria është “pasojë e neglizhencës”.