Para Qeverisë vendosen helmeta për 31 punëtorë e vdekur në vendin e punës

01.05.2019 16:57:31
Organizata studentore “Studim-Kritikë-Veprim” ka organizuar sot një aksion simbolik në ditën e 1 Majit.

Përgjatë marshit protestuesit u ndalën tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke vazhduar te BSPK-ja në drejtim të qeverisë, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Aktivistë të SKV-së përmes një instalacioni shprehën gjendjen tejet shqetësuese me vdekjen e punëtorëve, seç herë e në rritje nga firma të ndryshme ndërtimore dhe jo vetëm.

Përballë qeverisë u vendosën 31 helmeta për 31 punëtorë që gjetën vdekjen në vendin e punës.

“Kur aktivistët, punëtorët përmes një aksioni simbolik duan të shpërfaqin këtë gjendje alarmante, Komuna e Prishtinës me arrogancë e ndalon një aktivitet të tillë”, thuhet në njoftimin për media.

“Komuna e Prishtinës si dhe shefat e shefave duhet ta kuptojnë që të drejtat e punëtorëve, studentëve dhe qytetarëve të Republikës janë shumë më të fuqishme se interesat meskine të pushtetarëve dhe grykësve oligark”.

“Jeta e punëtorëve është e shtrenjtë. Papërgjegjësitë institucionale do të përballen me vullnetin popullor, kundër shtypjes, kundër pabarazisë”.