Paralajmërimi apokaliptik i Aleksandër Vulinit për luftë

17.01.2018 21:53:41

Nga Rexhep Kastrati

Aleksandër Vulin mbahet mend si njeriu që e krahasoi Gjakovën me Raqqa-n, kurse Kosovën e krahasoi me Sirinë. Mirëpo, Aleksandër Vulin nnë fakt gjatë viteve 2015 – 2016 ishte hija makabre dhe shoveniste e regjimeve ksenofobe dhe hegjemoniste të Serbisë, dhe bashkë me Marko Gjuriqin, Milovan Drecunin, Goran Rakiqit ishin dhe janë menaxhuesit e serbëve të Kosovës dhe njerëzit që kanë nxitur retorika destabilizuese në Kosovë.

Me fjalë të tjera, Aleksandër Vulin dhe të tjerët të lartpërmendur janë pararoja e shovenizmit serb që kontrollojnë politikën serbe në Kosovë, por kontrollojnë edhe pjesën më të madhe të politikës shqiptare. Ishte e qartë, kurse tash po konfirmohet edhe nga faktorë ndërkombëtarë se ishte ndikimi rus dhe serb që kishte krijuar një situatë destabilizuese në Kosovë gjatë viteve 2015-2016. Beogradi kontrollon politikën në Kosovë, sepse njerëzit e saj janë në pika të rëndësishme të politikëbërjes, por edhe në medie etj. Po ashtu, një kontroll, Serbia e realizon edhe nëpërmjet strukturave mafiozo-politike, pasi që mafia shqiptare, sidomos ajo me qendër në Mitrovicë, ose nga Mitrovica, është tërësisht në bashkëpunim dhe bashkërendim me mafian serbe.

E duket se Aleksandër Vulin është personi që orkestron gjithë këto dhe që ua përshtat synimeve dhe skenarëve të ndryshëm, siç është ai për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit për të realizuar pastaj ndryshimin e kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve. Se Vulin është në këtë pozicion, dëshmon edhe fakti se në dhjetor 2016 urdhëroi që Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa të rrëzohej. Asnjëherë më parë dhe më pas, Serbia apo ndonjë përfaqësues i saj nuk kishte urdhëruar që të rrëzohej ndonjë Qeveri e Kosovës, kurse që pas zgjedhjeve të 11 qershorit po e mban më këmbë një Qeveri të faqes së zezë me 41 kuvendarë shqiptarë dhe me 20 serbë dhe të pakicave të tjera.

E urdhër për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa kishte dhënë edhe Moska,duke dëshmuar se ajo Qeveri binte ndesh me interesat dhe synimet strategjike serbo-ruse. Dhe klasa politike shqiptare si dhe korpusi medietik nuk lanë gjë pa bërë dhe pa thënë derisa nuk e rrëzuan atë Qeveri. Batoni gati me përgjërim, e herë gati me kërcënim kërkonte me çdo kusht që Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa të rrëzohej. Të njëjtën bënte edhe Berati Bashorit.

Pra, urdhëri i Aleksandër Vulinit ishte marr shumë seriozisht sa që u çuan peshë derisa nuk e rrëzuan, dhe u çuan peshë e bënë koalicione të momentit të fundit për të mos lejuar që LDK të mund të mirrte sërish drejtimin e Qeverisë.

Zhvillimet e mëpastajme, nxorën në pah rolin dhe ndikimin e madh, më të madhin që nga viti 1989, që Serbia kishte në jetën politiko-institucionale të Kosovës, sepse tashmë nuk ishte vetëm bashkërendimi i Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin, por në tërësi në funksionimin e institucioneve dhe të politikëbërjes në Kosovë. E fundit fare në këtë kontekst duhet kujtuar lejen që Qeveria e Kosovës i ka dhënë Aleksandër Vuçiqit për të ardhur në Kosovë, përkundë retorikës shumë agresive dhe qëllimit aspak paqësor që do të mund të përcillte për serbët e Kosovës.

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe retorikën luftënxitëse të Aleksandër Vulinit, i cili e tha troç se po dha urdhër presidenti, ne jemi gati për luftë. Edhe pse kjo mund të merret si një retorikë mobilizuese dhe testuese, e pse jo edhe si një lloj kërcënimi për mundësinë që të zbulohej makineria dhe strukturat destabilizuese serbo-ruse në Kosovë dhe në rajon, e në kuadër të të cilave nuk janë veç serbë, por ka edhe rusë, ka edhe shqiptarë dhe ka edhe të popujve të tjerë.

Natyrisht, gjithë këto zbulime eventuale do të preknin edhe lidhjet e këtyre strukturave destabilizuese me klasën politike në Kosovë, e që në rrafshin më të gjerë do të dekonspironte plane, skenarë, struktura dhe lidhje agjenturore ndër më të sofistifikuarat.

Në gjithë këto, vrasja e Oliver Ivanoviqit është vetëm një parathënie për vrasjet tjera të serbëve, por më shumë të shqiptarëve, rekrutë agjenturash dhe pjesëtarë strukturash mafiozo-politike serbo-ruso-shqiptare.

Aleksandër Vulin, kështu bën një kërcënim apokaliptik për të detyruar edhe bashkësinë ndërkombëtare të ndikojë që strukturat e saj dhe njerëzit e saj, edhe shqipfolës të mos cenohen, por edhe të mos kryhen hetime shterruese për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.