Partia Social Demokratike (PSD) do të organizojë tryezën e partive politike

06.06.2018 10:13:23

Partia Social Demokratike (PSD), do të jetë partia e radhës e cila do të organizojë tryezën e partive politike, mirëpo varet nga seancat e Kuvendit të Kosovës se kur do të caktohet koha për ta mbajtur këtë tryezë.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin shefi i Grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu.

Sejdiu tha se tema e cila do të diskutohet në këtë tryezë do të jetë “dialogu me Serbinë”.

“Tryezën e radhës e thërret PSD-ja. Varësisht prej seancave do ju tregojmë me kohë ditën. Tema do të jetë dialogu me Serbinë”, ka thënë Sejdiu.

Ndryshe, kjo do të jetë tryeza e katërt me radhë e organizuar nga partitë politike.

Tryeza e tretë është mbajtur para dy jave dhe ishte e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me temë “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, në të cilën tryezë ka pasur akuza e kundër akuza mes përfaqësuesve të partive politike, se këto diskutime po sjellin agjenda të brendshme partiake e tendencioze por jo edhe unitet për tema të mëdha politike që e presin Kosovën në të ardhmen e afërt.

Ndërkaq, tryeza e parë, ishte thirrur nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kurse e dyta nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Tryeza të tilla janë organizuar me qëllimin që të arrihen konsensusi nacional për tema të mëdha siç janë: dialogun me Serbinë, transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës si dhe Asociacionit të komunave serbe.  Por analistët dhe shoqëria civile këto tryeza  i kanë vlerësuar pa efekt edhe blerje kohe e jo shumë produktive që do të jenë në dobi të qytetarëve të Kosovës.