Parulla anti-shqiptare zënë vend përballë Parlamentit dhe Kryeministrisë së Serbisë

10.07.2017 23:24:28

“ Kanë rrëmbyer dhe vrarë popullsi civile”

Ka mjaftuar hapja e procesit gjyqësor nga Gjykata Speciale ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së, të dyshuar për krime lufte që dhjetra parulla me përmbajtje anti shqiptare të zënë vend përballë Parlamentit dhe Kryeministrisë së Serbisë.

Një lexues ka dërguar në redaksinë e opinion.al, disa foto ku shihen dhjetra parulla që sulmojnë katër nga udhëheqësit kryesor të politikës kosovare, si dhe personazhe të rëndësishëm të UÇK-së.

Në foto dallohen, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj, të cilët akuzohen se kanë rrëmbyer dhe vrarë popullsi civile.

“ Kanë rrëmbyer dhe vrarë popullsi civile”, “Janë të mbrojtur nga SHBA- NATO-EU”, lexohet në disa prej tyre.

Parulla të tilla kërcënuese dhe fyese prej kohësh janë publikuar në Serbi dhe ky nuk është rasti i parë.

Ministria e Brendshme nuk ka bërë të ditur për ndonjë procedurë hetimore ndaj rasteve të tilla dhe as Policia nuk ka vënë në pranga autorët e këtyre parullave antishqiptare.