Pas dështimit të parë, sot pritet dekretimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë

20.10.2017 11:17:49

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar për sot ose më së largu për të hënën e ardhshme dekretimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë të veriut pas dështimit për t’u dekretuar në fillim të kësaj jave.

Presidenti Hashim Thaçi në fillim të kësaj jave ua pati dërguar ftesën gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë për t’u betuar para tij, por këta të fundit nuk u paraqiten, me ç’rast i pari i shtetit të Kosovës akuzoi BE-në dhe Serbinë për moszbatim të Marrëveshjes së Gjyqësorit, të arritur gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Disa vonohen në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe katër vjet e gjashtë muaj, nga prilli i 2013-s në qoftë se unë nuk gabohem. Dhe nuk u bie ndërmend që ta bëjnë atë dhe kanë mbështetjen e shumë vendeve të botës. Më mirë të mos më tërheqin për gjuhe”, ka thënë Vuçiq.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë gjatë ditës së djeshme se pala serbe sot do të jetë e gatshme të krijojë një gjykatë dhe prokurori të re për shumicën serbe në veri të Kosovës, e cila është vetëm një vonesë prej dy apo tre ditësh në krahasim me datën e caktuar dhe Serbia do të jetë gati për t’i përmbushur plotësisht detyrimet e saj të Marrëveshjes mbi Gjyqësorin.