Pas infektimit me COVID-19, nga LDK thonë se gjendja e Isa Mustafës është stabile

16.07.2020 09:18:29

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, ka thënë se gjendja e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, i cili ishte infektuar me coronavirus, ditë më parë është stabile.

“Gjendja e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa është stabile dhe do ta kalojë edhe këtë sfidë”, u shpreh ai.

Rugova, ka folur edhe për rastet aktive në këtë komunë, teksa ka thënë se 12 qytetarë janë të infektuar me coronavirus.

“Në Istog për momentin janë 12 raste aktive dhe 3 qytetarë që kanë bërë testin jashtë Institutit. Nuk ka asnjë në gjendje të rëndë dy janë të shtrirë në spital. Gjendja është e mirë në kuptimin e menaxhimit, por si shtab kemi qenë aktiv”, ka thënë Rugova.

I pari i Istogut foli edhe për projektet që janë duke u realizuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Istog, teksa potencoi se ka pasur vonesa për shkak të pandemisë.

“Projekti për palestër është në përfundim e sipër. Kemi edhe projekte të tjera të cilat i kemi planifikuar këtë vit nga buxheti komunal dhe shpresoj që do të përfundojnë, sepse ka pasur pengesa për shkak të pandemisë”, u shpreh ai.