Patozi: Hapja e Dosjeve të Sigurimit pa ne nxjerr një produkt të deformuar

17.11.2016 12:15:24

Deputeti demokrat Astrit Patozi e ka akuzuar dhe paralajmëruar mazhorancën sot në Kuvend se duke i hequr opozitës mundësinë e marrjes pjesë në Autoritetin që do të hapë Dosjen e Sigurimit të Shtetit, i ka hequr procesit çdo lloj integriteti dhe se produkti nuk do të jetë tjetër përveçse i deformuar, i njëanshëm. Ai e ka paralajmëruar mazhorancës se me këtë akt, fyen jo vetëm ish-të përndjekurit politikë, por çdo shqiptar që mendon se Shqipëria ka nevojë të ‘dekomunistizohet”.


PATOZI

“Ju, në vend të ballistëve na shihni ne, opozitën, megjithëse nuk kemi ndonjë lidhje direkte me Ballin Kombëtar, me gjithë respektin.

Po të kisha qenë në vendin e Edi Ramës dhe Ilir Metës do të lutesha që opozita të merrte pjesë në këtë proces. Por ju nuk doni. Kjo nuk mund të ndodhë, është ekzagjerim, tejkalim i gjithçkaje. E zëmë për një çast se mund ta bëni ju hapjen e dosjeve duke i hequr çdo lloj integriteti procesit, por si ka mundësi që ky produkt që do të dalë , produkt i deformuar,  ta përdorni si preteks për Reformën në Drejtësi dhe sidomos para partnerëve tanë që janë investuar për sistemin tonë të drejtësisë?!

A mundet që kjo trupë e njëanshme që votohet vetëm prej jush të çertifikojë ata që do të zënë vendet për të zbatuar Reformën në Drejtësi?

Ju jeni të indoktrinuar deri aty ku nuk mban më, por jeni dhe joseriozë sepse nuk mund të pritet prej juash as një reformë e qënësishme si Reforma në Drejtësi.

Ju mund të thoni se ç’lidhje ka kjo me zgjedhjet. Ka lidhje. Pas kësaj asnjë i përndjekur politik në Shqipëri nuk mund ta votojë këtë mazhorancë, sepses ka arsye se veç faktit që është trajtuar si armike, fyhet nga qëndrimi që ju mbani ndaj së kaluarës dhe vuajtjeve të tyre.

Çdo shqiptar i lirë mendon se Shqipëria ka nevojë të “dekomunistizohet”; përtej këtyre dy arsyeve mendoj se edhe çdo shqiptar që beson tek liria, tek sistemi dhe shpreson se mund të rregullohet ky vend, që nuk ka asnjë lloj ndjeshmërii ndaj së kaluarës komuniste, e ka të vështirë të votojë për ju se e shikon që jeni krejtësisht të njëanshëm, krejtësisht joseriozë.