Pavarësia bashkon qytetarët në Prishtinë (Video)

Pavarësia bashkon qytetarët në Prishtinë (Video)

17.02.2017 19:18:09

Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mblodhi shumë qytetarë në sheshe të qyteteve. Flamujtë kuqezi dhe shtetëror ishin në rrugë, në vetura, si dhe në duart e fëmijëve të vegjël.

Blerim Saliuka, nga Drenasi, thotë se është hera e parë që e feston këtë ditë në Prishtinë.

“Ka ndryshime, qysh s’ka”, thotë ai. “Por, ka mundur më mirë”.

Ramadan Mulliqi, nga Prishtina, tha se gjatë këtyre nëntë viteve ka pasur ndryshime të vogla. Ai shtoi se vendit i duhen ndryshime në të gjitha lëmit, veçanërisht për gjeneratat e reja.

Ndërkaq, Maxhun Muçaj, i cili vjen nga fshati Llukë e Epërme në Deçan, tha se çdo ditë Kosova po duket më e mirë.

Rrahman Makolli, nga fshati Marevc i Prishtinës, uron që gjithë shqiptarët kudo që janë të jetojnë sa më gjatë dhe të bashkuar, përderisa Mimoza Gërguri që vjen nga komuna e Istogut, uron të ketë ndryshime pozitive për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ka edhe qytetarë të tjerë që thonë se për nëntë vite nga shpallja e pavarësisë në Kosovë, nuk ka ndryshime në të mirë të qytetarëve.