Pavarësia në Vlorë, me Habilajt dhe kanabisin

29.11.2017 11:36:02

Pushteti i Edi Ramës zbret sot në Vlorë si përfaqësues i një shteti kanabist që i ka marrë frymën ekonomisë së vërtetë kombëtare dhe ka bërë plan të gëlltisë çka mbetur prej saj, për disa celula të krimit të organizuar. Kanabistët i duan paratë e drogës, edhe të korrupsionit, edhe të narko-patriotizmit, por 28 nëntori i sivjetmë i Qytetit të Flamurit, është një kremtim i Habilajve dhe i narko-“sipërmarrësve” të kryeministrit, për ekonominë e turpshme të vesit të drogës

 

Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë momentet më të errëta qysh prej rënies  së komunizmit. Ky 105 vjetor i Pavarësisë i gjen qytetarët shqiptar më të varfër dhe të mjeruar se kurrë më parë, ndërsa në krye të vendit qëndron baroni i drogës, ai i cili investoi plot një mandat të tërë për ta kthyer Shqipërinë në strofullën e sigurtë të prodhimit të drogës dhe më andej të  shpërndarjes së saj në Evropë dhe më gjerë. Me bekimin e Edvinit, vendi është pushtuar nga bandat dhe kriminelët më të rrezikshëm, ndërsa ky pushtet i drogës veçse po i sjellë degradim dhe varfëri. Sot, droga dhe varfëria janë vëllezër siamezë. Nuk është rastësi që Shqipëria sot është edhe prodhuesi më i madh në Europë dhe më i varfri në Europë. Sapo Rama filloi projektin e tij shkatërrues për kanabizimin e vendit, nisi dhe shkatërrimi i të ardhmes së qytetarëve shqiptarë. E vetmja ekonomi është risia e klaneve të drogës. Novacioni i vetëm ai i trafikantëve që kanë përsosur mjetet, që nga varietete e kanabisit e deri tek avionët e gomonet e drogës. E vetmja konkurrencë, ajo e bandave për rrugët e trafikut. Në vend të investitorëve të huaj, Shqipërinë sot nuk e viziton askush, pasi janë të tmerruar nga projekti i drogës së Ramës. Shqiptarët sot janë në mjerim, ndërsa ky 105 vjetor i Pavarësisë i gjen të nëpërkëmbur nga banda qeveri. Vlora e Flamurit nuk përcjell më entuziazëm dhe gëzim për mbarë shqiptarët. Me iniciativën e Edvinit, grupet  kriminale kanë rezultuar mjaft të suksesshëm në biznesin e tyre të drogës, duke e zëvendësuar atmosferën e gëzueshme të kësaj feste mbarë shqiptare me dhimbjen dhe dëshpërimin e thellë që është vulosur në sytë e shqiptarëve nga droga dhe trafiqet e shumta. Vlora sot nuk përflitet për Flamurin, ajo sot përmendet si Vlora e klaneve Habilaj dhe tonelatave të kanabisit që vërshojnë drejt shteteve fqinjë nga deti e toka. Kjo atmosferë e trishtë që ndihet kudo, në çdo cep të vendit, në çdo qytet e fshat mund të zhbëhet vetëm me largimin e Ramës. Një reagim mbarë shqiptar për ta detyruar të zbres nga karrigia e blerë me paratë e drogës dhe aktiviteteve të ndryshme kriminale do të jetë shpëtimi i vetëm për shqiptarët. Një gjë është e sigurt, sa kohë Edi Rama është kryeministër, shqiptarët e kanë të pamundur të shohin shpëtim. Bandat në bashkëpunim me Edi Ramën, do të vazhdojnë të jenë faktori kryesor i krizës ekonomike, i shkatërrimit të besimit tek e nesërmja , i largimit të shqiptarëve nga atdheu i tyre dhe i të keqes që ka mbërthyer vendin prej fyti. Ndaj emergjenca absolute është çlirimi i Shqipërisë nga krimi, meqenëse është edhe dita e Flamurit. Dhe kjo nis vetëm me largimin e Edi Ramës.