PDIU: Dënimi i dy shoferëve të MPJ në Greqi, absurd, burracak dhe i padrejtë

19.11.2016 10:34:26

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU ka reaguar pas vendimit të Gjykatës në Greqi që dënoi me 30 muaj burg dy shoferët shqiptarë të Ministrisë së Jashtme, të cilët u arrestuan disa ditë më parë teksa transportonin libra shqip në shtetin fqinj.

Sipas PDIU ky është një akt burracak i shtetit grek, “si përpjekje e drejtuesve të cirkut politik në Greqi, që të pafuqishëm për të ndaluar përparimin e çështjes çame,po i hedhin turmave të paditura dy gladiatorë imagjinarë të armikut. Gladiatorët në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy shoferë që kryejnë detyrën normale apolitike të dikujt që është transportues malli dhe kaq”.

“Ky akt absurd zemërimi ndaj abetareve shqip në mes të Europës, do të turpërojë autorët e tij, kur ai të mësohet anembanë mediave, kancelarive dhe opinionit publik europian. Abetaret, ushqim mendjeje për 6 vjeçarët nuk përbëjnë rrezik për integritetin territorial të Greqisë, edhe kur në to mësohet se shqiptarët kanë jetuar dikur në territore që sot janë të saj”, thuhet në reagimin e PDIU.

PDIU i kërkon autoriteteve shqiptare të veprojnë me qetësi, por me reciprocitet ndaj këtyre veprimeve, duke ndaluar çdo propagandë shoviniste në çdo formë që vjen prej një vendi fqinj.