PDK-ja gati për riformatimin e qeverisë, finalizimi në fillim të javës së ardhshme

02.11.2016 20:21:56
Partia Demokratike e Kosovës ka përfunduar konsultimet e brendshme për riformatimin e qeverisë dhe i ka gati emrat e ministrave dhe zëvendësministrave që do të lëvizin brenda dikastereve qeveritare.

Brenda PDK-së kanë treguar se lidershipi i partisë më të madhe në vend ia ka konfirmuar kryeministrit Isa Mustafa emrat e rinj që do të lëvizin dhe emërohen.

Meqenëse PDK-ja tanimë i ka bërë disa ndryshime gjatë muajve të fundit, bëhet e ditur se në këtë proces do ta emërojë ministrin e ri të Integrimeve Evropiane dhe do të emërojë e lëvizë pesë zëvendësministra.

Mësohet se kryeministri Mustafa ka kërkuar mirëkuptimin e partnerit të madh të koalicionit që riformatimin ta mbarojë më së largu në fillim të javës së ardhshme, për shkak të disa konsultave finale brenda LDK-së.

Udhëheqësit e koalicionit qeveritar pritet ta formalizojnë riformatimin gjatë një takimi në fillim të javës e pastaj menjëherë kryeministri Mustafa pritet të zyrtarizojë ndryshimet.