PDK-ja nuk duhet të presë Gjykatën speciale që të çlirohet nga trashëgimia kriminale

25.11.2016 22:00:51

Nga Rexhep Kastrati

PDK-ja vazhdon të tregojë se ka nevojë të madhe për një reformim të brendshëm që të shndërrohet në parti politike të mirëfilltë. Kjo parti duhet të çlirohet nga ndikimi i injorancës, i vandalizimit, i kaubojllëkut, nga e kaluara e saj që lidhet me SHIK-un, me grupet marksist-leniniste dhe nga gjithë e kaluara e saj prej prontopolitikës. Kjo nuk është e mirë vetëm për PDK-në, por edhe për vendin, sepse kjo forcë politike është motori i kapjes së shtetit, është motori i dhunës politike dhe i veprimtarive të tjera kriminale. Gjatë këtyre viteve që nga themelimi, PDK është perceptuar si parti i dhunës, parti e arrogancës, e fodullëkut dhe e intrigave, edhe pse pati për qëllim që të identifikohej me luftën dhe me UÇK-në. Dhe ky perceptim nuk është zhbërë, përkundër përpjekjeve për t’u paraqitur e moderuar dhe madje edhe parti e djathtë. Një pjesë e zyrtarëve të saj nëpër komuna, por jo vetëm, janë dënuar për vepra të ndryshme penale, dhe përkundër këtyre nuk është distancuar nga njerëz të tillë: më 2013 kandidoi për kryetarë komunash njerëz që ose ishin në burg, ose ishin të dënuar. Kjo parti ose nuk deshi, ose nuk mundi të distancohej nga pjesa e inkriminuar e saj, edhe pse Xhejms Rubin këshilloi që djemtë e luftës të largohen nga politika. Edhe gjatë këtij mandati qverisës, PDK është dëshmuar se ka mbetur po ajo: parti e intrigave dhe e pabesive. Dhe të gjitha këto po i kushtojnë vendit, sepse nëpërmjet intrigave dhe pabesive, PDK po kontribuon në tensionimin e situatës. Zgjedhjet në Drenas, që po mbahen për shkak të dënimit me vendim gjykate të ish-kryetarit Nexhat Demaku, për fat të keq, po dëshmojnë se kjo parti ka ende shumë probleme, dhe ende ka mbetur parti i dhunës, e arrogancës, e kaubojllëkut. Është për keqardhje kur sheh një ish-ambasador nuk ka trohën e respektit për funksionet që ka ushtruar, për sakrificën familjare gjatë luftës, por po shpërfaqet arrogant, me konflikte fizike dhe me lloje të tjera të arrogancës. I njohur si bastion i PDK-së, Drenasi ka qenë vazhdimisht fabrikë votash për këtë parti, kurse fitorja e saj e padiskutueshme. Megjithatë, vërehet se edhe në këtë komunë ka përenduar, ose është duke perënduar koha e komandantëve të paprekshëm. Duket se Drenica e Adem Jasharit, e Azem bejtës, e Ahmet Delisë, Drenica e gjakut dhe e sakrificës e ka kuptuar dhe ka filluar të çlirohet nga pshtimi politik nga PDK dhe po kërkon alternativa të tjera. Është e vështirë të parashikohet përbysja e PDK-së nga pushteti, por refuzimi i mikpritjes, rebelimi ndaj saj, janë shenja se diçka po lëviz edhe në Drenicë. Dhe kjo mund të jetë pozitive për Drenicën, për PDK-në dhe për Kosovën, sepse mund të jetë shenjë se po çlirohen nga komandatët e paprekshëm, nga arroganca dhe nga kaubojllëku që ia ka zënë frymën si Drenicës, ashtu edhe Kosovës. Një humbje e kandidatit të PDK-së në Drenas, do të ishte një fitore e madhe për Drenicën dhe për Kosovën, por edhe për vetë PK-në, dhe që do të hapte rrugën për reformimin e PDK-së, në mënyrë që të jetë më e qetë dhe me e lirë për të lënë intrigat dhe pabesitë, për të kontribuar për arrestimin e njerëzve të përfshirë në krim të organizar, në krim politik, në krime lufte. Një reformim nga brenda, do të ishte më i shëndetshëm për vetë PDK-në dhe për vendin, sesa reformimi i imponuar nga lufta kundër krimit të organizuar dhe nga funksionalizimi i Gjykatës speciale, sepse atëherë nuk do të kishte akuza jo më burgosën shokët, jo me tradhtuan shokët, jo më bënë dosje shokët.