PDK u mblodh për vizitën e Borell-it në Kosovë

30.01.2020 00:16:37

Kryesia e PDK-së, të mërkurën, rreth orës 22:00 ka zhvilluar një mbledhje të Kryesisë.

Edhe pse në fillim u mendua se është diçka e jashtëzakonshme, drejtori i Komunikimit në PDK,  Bashmir Xhemaj, ka folur  para gazetarëve.

“Jam këtu ta konfirmoj në emër të Partisë Demokratike të Kosovës se mbledhja e kryesisë së PDK-së është planifikuar të mbahet sonte në ora 19 por është shtyrë për në ora 22 për shkak të angazhimit të disa anëtarëve të kryesisë dhe nuk është lënë për nesër paradite për shkak që disa anëtarë udhëtojnë jashtë Kosovës.

Ky takim i rregullt i kryesisë së partisë nuk ka pasur kurrfarë urgjence siç u raportua orën e fundit por ka të bëjë me vizitën nesër në Kosovë të Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri,  Borell”, tha Xhemaj.

Ai u shpreh se qëndrimet e plota të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me këtë vizitë, formatin, agjendën dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi do të bëhen të ditura nesër përmes një konferencë shtypi që do të organizohet në seli të partisë.