Peja është e bekuar nga Zoti, ne do ta bëjmë të mrekullueshme për njerëzit, tha Pacolli

30.05.2017 20:36:58

Gjatë qëndrimit të tij në rrafshin e Dukagjinit, sot Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga kandidatët e Aleancës Kosova e Re për deputetë, ka vizituar edhe qytetin e Pejës. Në një tubim me qytetarë, Pacolli shtjelloi pikat kyçe të programit qeverisës të koalicionit AKR-LDK.

 

“Pika e pare që do ta realizojmë do te jete rritja ekonomike 8%, qe do të krijojë 70 mije vende të reja pune. Përmes krijimit të zonave të lira ekonomike të cilat parashihet të jenë në rrafshin e Dukagjinit, në rrafshin e Kosovës si dhe në Anamoravë, ne do ta bëjmë këtë.

Ai ka shtuar se rritja e pagave qysh në vitin e parë do të jetë 30% e pastaj do të shkallëzohet, varësisht nga GDP-ja. Kjo do të bëhet edhe përmes jetësimit të programit tonë ekonomik”, ka thënë Pacolli.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re ka treguar edhe për investitorët e shumtë të cilët duan të vijnë në Kosovë. Ai ka thënë se investitorët nuk vijnë në një vend me qeveri të korruptuar, nuk vijnë të punojnë me zhvatës dhe mashtrues. Ata janë investitorë seriozë të cilët duan garanci të funksionimit të ligjit. “Ne do ta mundësojmë këtë, koalicioni ynë do ta mundësojë rritjen e investimeve dhe shtimin e investitorëve të huaj”.

I pari i AKR-së më tej ju ka thënë pejanëve se të jesh pjesë e kompanive globale është esenciale. “Vetëm kështu do të mund të kemi sukses dhe përfitime më të mëdha, do të ishte e pakapshme që një investitor i madh ti fus miliona euro në një vend të vogël siç është Kosova”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.

Ai më pas i ka falënderuar qytetarët e shumtë për pjesëmarrje dhe një nga një ka prezantuar para tyre kandidatët e AKR-së për deputetë. Në mesin e tyre cilëve ishin; Neshat Asllani, Agim Bahtiri, Xhevdet Krasniqi, Albena Reshitaj, Korab Sejdiu, Vesel Makolli, Islam Pacolli, Myzejene Selmani e Refiqe Ternava.