Për B. Munich dhe R. Madrid kualifikimi në çerekfinale “formalitet”

15.02.2017 22:57:41

Bayerni i Mynihut dhe Reali i Madridit me një këmbë në cerekfinale të Champions League. Skuadra bavarezë shkatërroi 5-1 Arsenalin, ndërsa në “Santiago Bernabeu” festa ishte për “Los Blancos” që fituan 3-1 me përmbysje ndaj Napolit.

Në “Allianz Arena”, Arjen Robben shënoi një supergol në minutën e 11-të, me Ospinën që s’mund të bënte asgjë për të devijuar topin. Pa u mbushur 30 minuta lojë, “Topcinjtë” barazuan me Alexis Sanchez, që fillimisht dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, por më pas arriti ta dërgonte me fat topin në rrjetë. Në minutën e 53-të ishte radha e Lewandowskit, që kërceu bukur me kokë për golin e 2-1, ndërsa Thiago Alcantara 3 minuta më pas e detyroi Ospinan të nxirrte për herë të tretë topin nga rrjeta. Mesfushori spanjoll i ndihmuar nga devijimi i një mbrojtësi sigloi golin e dytë personal në të 63-ën.  Për t’i dhënë goditjen përfundimtare skuadrës së Arsene Wenger mendoi Thomas Muller, të cilit i mjaftuan vetëm dy minuta lojë për të gjetur rrjetën.

Reagim prej kampionësh i futbollistëve të Realit të Madridit ndaj Napolit të Elseid Hysajt me futbollistin kuqezi që u aktkvizua gjatë gjithë ndeshjes. Lorenzo Insinge shfrytëzoi daljen e Navas duke shënuar që në minutën e 8-të në Bernabeu, me një goditje të zgjuar nga një distancë e largët, por “Los Blancos” reaguan shpejt me Karim Benzema që shfrytëzoi një krosim perfekt me të jashtmen të Carvajal. Toni Kroos i dha avantazhin në 2-1 skuadrës së Zidane në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Casemiro surprizoi Reinën me një goditje fluturimthi nga jashtë zonës në minutën e 54-rt për rezultatin përfundimtar 3-1. /supersport.al/