Për ditën e mësonjtorës shqipe – ditën e mësuesit/es, ose Mësonjëtorja, ky tempull i dritës së dijes

06.03.2017 12:58:22

Nga Haki Latifi

Në prag të kësaj dite të shënuar populli ynë i ka ende të freskëta sakrificat e mëdha në rrugën e dijes dhe të lirisë. Kur kujtojmë 7 marsin e vitit 1887, mendja jonë është gjithmonë tek mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës e cila falë kontributit të pishtarëve të arsimit të asaj kohe si dhe të shumë brezave të tjerë, bëri të mundur që dituria dhe mendja e edukuar e kombit tonë ta përmbyste përgjithmonë heshtjen dhe asimilimin që të tjerët padrejtësisht me shekuj na kishin imponuar.

Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. 7 Marsi është dita zyrtare që kujtojmë me nder dhe respekt këtë ditë të madhe, ku nga kjo ditë dhe datë e rëndësishme historike janë hap shumë dritare të ardhmerisë, edukatës dhe arsimit shqip. Fjala mësues është si gjitha fjalët tjera që përbëhen prej gjashtë shkronjave, por puna e ndërgjegjshme është e shenjtë.

Ky profesion, profesioni i mësuesit, edukatorit është i rëndësishëm, sepse mësuesi i mëson dhe edukon lulet më të bukura – të vegjëlit dhe të rinjtë, brezin e ardhshëm. Një falënderim i veçant shkon për të gjithë mësuesit/et e përkushtuara me pasionin dhe dashurinë e tyre për punën si dhe ju uroj nxënësve që kurrë mos të ndalën për të mësuar Gjuhën Shqipe. Unë e kuptoj që fëmijët e lindur jashtë Atdheut po përballohen me vështirësi të mëdha për mësimin e gjuhës shqipe, por në se ne si prindër duhet të punojmë më shumë, sakrifikojmë dhe organizohemi në shkolla shqipe medoemos që do të ulet numëri i fëmijeve që nuk flasin dhe shkruajnë shqip.

Diaspora po përballohet me shume vështirësi, por mësimin e Gjuhës Shqipe duhet ta kemi në qendër të vëmendjes dhe te dorës së parë, pasi siç thotë Rilindasi Sami Frashëri se: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”, na bëjnë që të punojmë dhe më shumë. Kujtoj se, mësuesit e vyeshëm edhe nëse nuk kanë lënë vepra të shkruara, kryevepra e tyre është puna edukative me brezat e rinj, me masat e gjëra popullore. Mësuesit gjithmonë kanë qenë edhe mbeten njerëzit më të afërtë i masave popullore. Ata janë që në kohërat më të vështira për kombin tonë, na mësuan ndër shekuj qëllimin e rrugëve tona të ndritura, ata/ato janë faqja më e ndritur e historisë… Atyre, dhe vetëm atyre, që po mbajnë lartë dhe të pacenuar etikën dhe emrin e mësuesit!

Gëzuar dita e juaj, 7 marsi!

Haki Latifi