Sot ka filluar viti shkollor dhe nxënësit pas një pushimi të gjatë veror u janë kthyer bangave shkollore. 129 vjet nga mësonjtorja e parë shqipe që u hap në Korçë, por që nuk kishte jetë të gjatë, nxënësit shqiptarë i kanë të gjitha mundësitë që gjakimin e shqiptarëve për gjuhën dhe për shkollën shqipe ta realizojnë në mënyrën më shembullore. Për të ardhur deri këtu nuk duhet kujtuar vetëm vitet ’90 të shekullit të kaluar, as vetëm luftën e fundit, por duhet kujtuar edhe vitet e mbijetesës fizike para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, por duhet kujtuar edhe shekujt e ndalesës së shkollës shqipe. Këta shekuj ishin shekuj të rrezikimit të qenies kombëtare shqiptare, dhe për shkollën në gjuhën shqipe as që bëhej fjalë. Gjatë viteve të para Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Kosovës ishin të privuar nga e drejta e shkollimit në gjuhën shqipe, dhe ose shkonin tek-tuk në mejtebe, ose në shkollat serbisht. Ishin këto vite të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, e që vazhdoi edhe në vite pas Luftës së Dytë Botërore. Vetëm në fund të vitit 1968, shqiptarët në Kosovë arritën të kenë flamurin kombëtar të ideologjizuar nga regjimi komunist. Edhe pse shkollimi në gjuhën shqipe ishte lejuar, megjithatë ai bëhej mbi baza ideologjike dhe që theksonte dallimet ideologjike të regjimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Shqipërisë. U deshën dekada që Kosova të kishte universitetin, por u deshën vetëm pak vite që ai të vihej në shënjstër të forcave hegjemoniste serbe. Shqiptarët në vise të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi deri vonë janë ballafaquar me probleme në të drejtën e shkollimit në gjuhën shqipe. Vitet e ’90 të shekullit të kaluar ishin vite të mbijetesës fizike dhe arsimore, dhe këtë mbijetesë shqiptarët e përballuan me vendosmërinë dhe gjakimin për liri. Dhe gjakimi për liri, ishte gjakimi për identitetin, gjakimi për gjuhën dhe për shkollën shqipe. E tashmë kur e kemi edhe lirinë, edhe gjuhën, edhe shkollën, dhe kur edhe tekstet shkollore janë falas, çdo prind duhet t’ua kujtojë fëmijëve gjakimin shekullor të shqiptarëve për lirinë, për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Arsimtarët, një pjesë e madhe e të cilëve kanë bartur mbi supet e tyre përgjegjësinë dhe sfidat e mbijetesës së shkollës shqipe, duhet t’ua kujtojnë nxënësve rëndësinë që ka shkollimi, arsimimi dhe profesionalizmi diturak në kushtet e zhvillimeve të mëdha të teknologjisë së informacionit, pra për periudhën post-industriale. E meqë ky vit shkollor ka filluar një ditë pas shenjërimit të Shën Terezës, mësuesit dhe arsimtarët duhet t’u flasin nxënësve për të, për identitetin e saj shqiptar, për lutjet për popullin e saj, për misionin e saj.