Për të dëshmuar besnikëri dhe mirënjohje ndaj Ramushit, Halil Matoshi i turret mjerueshëm Avdullah Hotit!

19.09.2017 23:42:32

Nga Rexhep Kastrati

Halil Matoshi për të bindur të zotin e tij se di të dërdëllit, qenkësh turr sot kundër shefit të Grupit Kuvendor të LDK-së, z. Avdullah Hoti, i cili me elegancën e tij prej ekonomisti të spikatur që e bën të jetë i kujdesshëm edhe në shprehje, pra, siç thotë edhe vetë vartësi i Ramushit, edhe i butë, ia ka kujtuar këtij të fundit se zyrja e kryeministrit nuk është zyrë e AAK-së!

Halil Matoshi, me një arrogancë, primitivizëm dhe me një injorancë totale, e paraqet zyrën e kryeministrit si një konak dasme ku shkojnë e bëjnë përhajër miq e jaranë, dhe ku edhe inxhet politike sillen e mbështillen me tabaka me gota të mbushura me raki dhe me filxhana me kafe, e jo si një zyrë shteti ku duhet të punohet për qeverisjen e vendit dhe realizimin e detyrave kushtetuese.

Do të mjaftonte edhe Labi që të shoqëronte me tallava dhe gjithçka të shndërrohej në një dasmë dhe ku Ramushi dhe Anita do të putheshin më lezetshëm se në sallën e Kuvendit.

Mirëpo, edhe Ramushi, edhe Halili duhet ta kenë parasysh se edhe dasmat po i bëjnë në salla dasmash, e jo në shtëpi, pra kanë filluar ta veçojnë ambientin dhe hapësirën familjare nga ahengu dhe ambienti i tallavaisur me tallava, verë, raki, birra, lëngje, mish të pjekur, zarzavate dhe lloje të tjera ushqimesh dhe pijesh.

Pra, edhe Ramushi, edhe Halili duhet të marrin këtë shembull dhe dasmat le t’i bëjnë jashtë zyreve qeveritare, pra mos t’i përdhosin ato.

Përndryshe, të drejtën për të shfaqur qëndrime politiko-institucionale, i ka secili qytetar, kurse kryetari i Grupit Kuvendor e ka edhe të drejtë, edhe pjesë të angazhimit të tij.

Natyrisht, nuk dua ta marr aq seriozisht sa ta konsideroj këtë dërdëllitje si përpjekje për të disiplinuar opozitën, përkatësisht për të cenuar të drejtën që ka LDK të mbajë dhe të shprehë qëndrime politiko-institucionale.

Pas dështimit për t’u futur në Kuvend, Halil Matoshi është entuziazmuar, është shkrirë fare ngaqë Ramushi nuk e hodhi fare, por e vendosi diku mbrapa portës për të bërë sehir qejfet e Ramushit dhe për t’iu turr gjithsecilit që guxon e thotë fjalë që nuk i pëlqejnë atij.

Dhashtë Zoti që Ramushi të mos e kthejë ndërtesën e Qeverisë në Had, e as Halilin në Kerber!