Për zbardhje të plotë të vrasjeve politike, e jo për pazare të fëlliqta

11.01.2018 14:04:33

Nga Rexhep Kastrati

Ka kohë që vërehet një tendencë për thjshtesimin e vrasjeve politike në nivel të vrasësve, pra të atyre që kanë kryer vrasjet dhe për të shmangur gjithë strukturën organizative që kanë planifikuar, organizuar, kanë kryer vrasjet, si dhe kanë kryer vrasjet e vrasësve!

Në këtë kontekst, ligjërisht kemi rastin e komandant “Drinit”, për të cilën vrasje është realizuar një proces gjyqësor nga i cili doli se kush kish organizuar vrasjen, por edhe jo kush ishte vrasësi.

Në anën tjetër, kemi një proces gjyqësor kundër Fatmir Limajt  për vrasjen e Ramiz Hoxhës nga Bllaca, e cila, edhe pse nuk konsderohet vrasje politike, megjithatë ka të gjitha konturat e një rasti të tillë. Është kështu për faktin se akuza ndaj Limajt është akuzë ndaj komandantit, ndaj ish-ministrit tash zëvendëskryeministër, dhe nënkryetar i PDK-së, sot kryetar i Nismës. Pra, bëhet fjalë për një strukurë mbi të cilën bien dyshimet për vrasje politike.

Është e pashpejgueshme se si në rastin e komadant “Drinit” nuk arrihet të zbulohet ekzekutori, kurse të dihet urdhërdhënësi, organizatori. A nuk është manipulim me drejtësinë dhe me procedurat hetimore dhe me të vërtetën?

Në rastin e Ramiz Hoxhës, ndërkaq ka tendencë që të mohohet përgjegjësia e fatmir Limajt dhe të zbritet në nivel të vrasësve fizikë, edhe pse ka dyshime të forta, madje edhe informacione të forta se urdhërdhënësi kishte qenë pikërisht Fatmir Limaj.

Mirëpo, rasti mbi të gjitha rastet mbetet rasti i vrasjes së Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut, pasi që është rast ku janë konturat e qarta të rastit ku ka një bashkëpunim ndërmjet të supozuarit viktimë dhe të supozuarve si drejtues strukutrash kriminale në eliminimin e gjurmëve për këtë rast. Fjalën e kam për bashkëpunimin e Gani Gecit me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, nga i cili mund të ketë dalë edhe vrasja e Ruzhdi Shaqirit, një nga personat e dyshuar si vrasës i Bekim Kastratit dhe i Besim Dajakut.

Zbardhja e plotë e këtij rasti, do të hedhë dritë të plotë edhe në vrasje të tjera politike, apo thënë më mirë do të hedhë dritë mbi të gjitha vrasjet politike të kryera ndaj personaliteteve politike, ushtarake dhe medietike të lidhur me LDK-në apo me strukturën institucionale të udhëhequr nga ajo.

Është kështu për faktin se si mund të realizohej një takim ndërmjet Gani Gecit dhe Hashim Thaçit e Kadri Veselit në Llaushë të Skënderajt, e në të cilin këta të fundit do ta “pajtonin” Ganiun me Azem Sylën? Çka ndodhi me rastin, përkatësisht incidentin ndërmjet Gani Gecit dhe truprojës së Azem Sylës? Pas “pajtimit” të Gani Gecit me Azem Sylën, Ganiu kishte thënë se hashimi e Kadriu e kishin garantuar se nuk kishte dashur Azem Syla ta vriste, atëherë shtrohet pyetja: kush paska dashur dhe a mos duhet kërkuar këtu marrëveshjen për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit si dëshmitar i mundshëm që mund të ketë filluar të bashkëpunonte me drejtësinë për zbardhjen e vrasjes së Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut? A mund ta çonin nivelin e implikimit në vrasjen e Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut në nivele të larta? A e ndjenin veten të kërcënuar nga e vërteta edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Gani Geci? Në këtë kontekst, vrasja e Ruzhdi Shaqirit a ishte për të shkatërruar rastin e vrasjes së Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut?

Prandaj, kushdo që vërtet është i interesuar për zbardhjen e vrasjeve politike, duhet të ketë parasysh këto dhe shumë pyetje të tjera, dhe të këmbëngulë jo vetëm në emrat e atyre që kanë vrarë, por edhe në emrat e atyre që kanë planifikuar, organizuar dhe kanë bërë gjithçka që të prishen rastet e këtilla.