Perdet do të blihen për gjashtë katet e shërbimit civil e jo për kabinetin e kryeministrit Mustafa

22.06.2017 21:31:46

Lidhur me lajmet e rreme që kanë dalë edhe lidhur blerje të perdeve për zyrën e kryeministrit Mustafa, ka reaguar Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për zyret e  kabinetit të kryeministrit, por për pajisjen e gjashtë kateve të shërbimit civil.

Ky është sqarimi i plotë:

Sqarim për Medie

Qeveria e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se artikulli me titull “5 mijë euro për perdet e Isa Mustafës”, i publikuar në portalin propagandues të një grupimi, është i pavërtetë.

Qeveria e Kosovës sqaron opinionin se asnjë perde nuk është parashikuar të blihet për Kabinetin e Kryeministrit Mustafa, por blerja në fjalë është parashikuar që të pajisë me perde 6 katet tjera të shërbimit civil në kuadër të objektit të Qeverisë, dhe nuk është proceduar përmes Kabinetit të Kryeministrit.

Portali propagandues nuk ka marrë mundin të kërkojë informata për këtë çështje, pasi që nuk i intereson e vërteta por dëshiron të manipulojë opinionin.

Ftojmë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e mashtrimeve të portaleve të tilla.
Zyra për Komunikim Publik
Zyra e Kryeministrit