Përfundon intervistimi i Rrustem Mustafës në Hagë

14.01.2019 18:56:44

Ka përfunduar intervistimi i ish- komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafës –Remit, para prokurorëve të Prokurorisë Speciale në Hagë.

Intervistimi i Rrustem Mustafës ka filluar sot rreth orës 10:00 dhe ka zgjatur mbi 7 orë.

Pas përfundimit të intervistimit ai nuk ka folur për media.

Për media nuk është prononcuar as avokati i tij, Arianit Koci.

Marrja e tij në pyetje pritet të vazhdojë edhe të martën.

Ai  është edhe zyrtarisht personi i parë që po intervistohet nga Gjykata Speciale.

Veç tij të dielën për në Hagë u nis edhe ish-komandanti, Sami Lushtaku, i cili pritet të intervistohet dy ditë pas Mustafës.

Mustafa të dielën para nisjes në Hagë ka thënë para gazetarëve se është në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar.

“Jam duke ju përgjigj thirrjes nga Gjykata Speciale për pretendimet e Dik Marty-t. Unë po shkoj në cilësinë e të intervistuarit, normalisht jam dëshmitar i dyshuar, kam avokat vendor. Po shkoj t’i përgjigjem drejtësisë. Normalisht që ne jemi të pafajshëm”

Ai ka thënë se ftesat e ardhura nga Haga janë ftesa normale, derisa ka shtuar që janë takuar edhe me kryeministrin Haradinaj para nisjes.