Përmbytjet/ Lulzim Basha denoncon mungesën e ndihmës nga qeveria

01.12.2017 14:29:52

Kreu i PD: “Të zgjedhurit vendorë, jo vetëm ata të PD, por në të gjithë Shqipërisë kanë ankesa se nuk po lidhen dot me qeverinë qendrore. Ndaj ju bëj thirrje që në këtë moment t’u shkoni në ndihmë qytetarëve pasi kanë nevojë”

 

Moti i keq dhe mungesa e ndihmës ndaj qytetarëve është bërë objekt debate mes kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë. Kreu i PD, Basha i bëri apel Ramës dhe ministrave të tij që t’i përgjigjen thirrjeve për ndihmë të krerëve vendor, pasi situate në vend është kritike.

‘Të zgjedhurit vendor, jo vetëm ata të PD, por në të gjithë Shqipërisë kanë ankesa se nuk po lidhen dot me qeverinë qendrore. Ndaj ju bëj thirrje që në këtë moment tu shkoni në ndihmë qytetarëve pasi kanë nevojë’, tha Basha. Ndërkohë që kryeministri Rama i është përgjigjur Bashës, duke thënë se aktualisht të gjitha forcat e emergjencës civile janë në gatishmëri të plotë. Ndërsa e cilësoi si teatër sjelljen e deputetëve në parlament.

Situata e motit të keq po ndiqet me vëmendje edhe nga Presidenti Ilir Meta

Në një deklaratë të Presidentit thuhet se kreu i shtetit apelon për angazhim maksimal për sigurinë e jetës dhe pronës.”Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën e krijuar si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura. Solidarizohem me banorët e këtyre zonave dhe punonjësit e Emergjencave Civile duke apeluar angazhim maksimal për sigurinë e jetës dhe të pronës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.