Përplasja me Ramën, kreu i Akademisë së Shkencave jep dorëheqjen

08.11.2017 23:05:43

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, i zgjedhur pak javë më parë, ka dhënë dorëheqjen. Mësohet se Beqiraj ka zhvilluar sot në mbrëmje një takim me Presidentin Ilir Meta, ku ka paraqitur edhe dorëheqjen.

Zyra e Shtypit e Presidentit, në një njoftim për mediat, bën të ditur se gjatë takimit me kreun e shtetit, “Akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i Kryetarit të Zgjedhur të Akademisë së Shkencave duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm”.

NJOFTIMI I ZYRËS SË SHTYPIT TË PRESIDENTIT

Presidenti i Republikës së Shqipërisë priti në takim Kryetarin e Zgjedhur të Akademisë së Shkencave Akademikun Gudar Beqiraj. Presidenti i Republikës së Shqipërisë priti sot në takim Kryetarin e Zgjedhur të Akademisë së Shkencave Akademikun Gudar Beqiraj gjatë të cilit u diskutua mbi situatën aktuale të Akademisë së Shkencave, procesin e reformimit të saj dhe sfidat dhe perspektivën e përballjes së tyre me sukses.

Gjatë bisedës u nënvizua nevoja dhe rëndësia e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit tonë.

Gjatë takimit Akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i Kryetarit të Zgjedhur të Akademisë së Shkencave duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.

Presidenti i Republikës Meta vlerësoi lart aktin qytetar të Akademikut Gudar Beqiraj duke vënë në dukje personalitetin e tij dhe rolin e kontributin e gjatë jo vetëm në fushën e kërkimit shkencor por edhe në atë të zhvillimit të sportit dhe të veprimtarive humanitare.

Presidenti i Republikës Meta theksoi rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut mes Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë me qëllim rritjen e rolit të pazëvendësueshëm të saj për zhvillimin e vendit.