Përzgjedhja e ambasadorëve, deputeti i PD-së thirrje Metës

03.07.2018 22:54:56

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu i ka bërë thirrje presidentit Ilir Meta që të bllokojë përzgjedhjen e ambasadorëve shqiptarë në botë mbi baza politike, partiake apo subjektivizmi personal

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Shehu shkruan se “kështu veçse shkatërrohet Trupa Diplomatike shqiptare”.

Duke iu referuar seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm me 4 kandidatët për ambasadorë, Shehu shprehet se 2 prej tyre nuk i lidhte asgjë me sistemin shqiptar diplomatik.

“Sot nga katër ambasadorë, që u diskutuan në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit, dy prej tyre nuk i lidhte asgje me Sistemin tone Diplomatik. Pa dyshim diçka e tillë është e pajustifikuar në vitin 2018, kur diplomacia jonë është rritur, profesionalizuar e ka në përbërje shumë diplomatë të niveleve të ndryshme me përvojë e aftësi. Një politikë e tille klienteliste jo vetëm që dëmton rëndë cilësinë e Shërbimit tonë Diplomatik nga vendosja e të tilla emërimeve larg profesionlizmit, por dhe duke demoralizuar e demotivuar diplomatët tanë, që kanë vite që kontribuojnë me aftësi e pasion në këtë sektor tejet të rëndësishëm, duke pritur të shpërblehen me karrierë”, shkruan ai.

“I bej thirrje Presidentit Meta, që duhet të thotë fjalën edhe për këto raste të fundit, të tregohet një barrierë e pakalueshme ndaj përzgjedhjeve të tilla, mbi baza politike, partiake apo subjektivizmi personal këto” – shtoi ai.