Pesë muaj nën ‘pushtetin’ e Covid-19, statistikat kryesore në Shqipëri

17.08.2020 18:55:27

Njësoj si rajoni, Shqipëria po përballet në muajin e gjashtë të pandemisë së COVID-19 me një prirje shqetësuese të infeksionit. Rastet e përgjithshme kanë shkuar në rreth 7,400 prej të cilave rreth 3,800 janë mundur të shërohen ndërsa rreth 230 janë mbyllur me pasojë vdekjen. Muaji i fundit ishte me shifra më të larta të të infektuarve dhe të vdekurve se katër muajt e parë të pandemisë mbledhur bashkë çka tregon se infeksioni nuk po arrihet të përmbahet.

Euronews Albania sjell më poshtë të gjitha shifrat, faktet dhe çështjet e mbetura pa qartësi nga autoritetet në 5 muajt e shkuar të pandemisë.

Pesë muaj nën 'pushtetin' e Covid-19, statistikat kryesore

Gjatë muajit të parë të pandemisë autoritetet vendosën masa të rrepta kufizuese duke mbyllur të gjitha aktivitetet ekonomike, sociale, kulturore dhe politike që nxisnin grumbullime njerëzish. Gjatë kësaj kohe u kryen mesatarisht vetëm 104 teste në ditë për një total prej 3,223 testesh, prej së cilave diagnostikuan 409 persona me COVID-19. Prej tyre 22 vdiqën, 165 mundën të shëroheshin, ndërsa pjesa tjetër (222 persona) mbeti me mbartje të virusit.

Mesatarisht muajin e parë të pandemisë pati çdo ditë më pak se 1 vdekje (0.7), 5 të shëruar dhe 7 raste të reja me COVID-19. Rekordi i rasteve ditore ishte 29 dhe u shënua më 4 prill. Numri më i lartë i vdekjeve ditore ishte 2 dhe kaq viktima u raportuan katër ditë (datat: 27, 31 mars dhe 1, 5 prill).

Pesë muaj nën 'pushtetin' e Covid-19, statistikat kryesore

Në muajin e dytë, si total pati (50) më shumë raste me infeksion se muaji i parë, por u regjistruan (320) më shumë të shëruar dhe (13) më pak viktima. Në këtë periudhë autoritetet dyfishuan testet duke kryer mesatarisht 241 (240.5) teste në ditë për një total prej 7,215 testesh, nga ku u diagnostikuan 459 persona me COVID-19.

Nga totali i përgjithshëm u regjistruan 9 viktima, megjithatë mundën të shëroheshin 485 persona dhe në fund të kësaj periudhe rastet aktive u reduktuan në 187 (-35).

Mesatarisht gjatë muajit të dytë çdo ditë pati nga 15 (14.8) raste të reja, 16 (15.6) të shëruar. Rekordi i rasteve ditore ishte 34 raste, që u raportuan më 25 prill.

Në këtë muaj nisi periudha më e gjatë pa viktima shënuar deri më sot nën pandeminë e COVID-19, që mbetet rekordi prej 22 ditësh (nga 1 maji më 22 maj).

Pesë muaj nën 'pushtetin' e Covid-19, statistikat kryesore

Gjatë muajit të tretë u vazhdua prirja në ulje e vdekjeve nga COVID-19 duke regjistruar rekordin e vetëm 4 viktimave në 31 ditë. Mirëpo pas lirimit të masave kufizuese dhe rihapjes së aktiviteteve ekonomike e shoqërore në fund pati një prirje në rritje të rasteve me infeksion.

Autoritetet kryen mesatarisht 294 teste (294.3) çdo ditë për një total prej 9,124 teste, nga ku u diagnostikuan 517 (+58) persona të tjerë të infektuar, mirëpo nga totali i përgjithshëm mundën të shëroheshin 351 pacientë (-134).

Rekordi i rasteve ditore ishte 42 dhe u shënua më 10 qershor, kur dhe praktikisht nisi të manifestohej ajo që u konsiderua dhe si vala e dytë e infeksionit.

Pesë muaj nën 'pushtetin' e Covid-19, statistikat kryesore

Vala e dytë e COVID-19 solli një bilanc më të rëndë ku muaji i katërt pati më shumë raste (2,069) dhe viktima (58) se tre muajt e parë të pandemisë mbledhur bashkë.

Përballë prirjes në rritje të rasteve të reja autoritetet rritën ndjeshëm edhe testet duke kryer këtë periudhë mesatarisht 426 teste në ditë, për një total prej 12,791 testesh.

Mesatarisht çdo ditë u raportuan 2 (1.9) vdekje dhe 69 raste të reja me infeksion dhe vetëm 32 (31.5) të shëruar. Numri më i lartë i rasteve ishte 93 raportuar më 11 korrik, ndërsa numri më i lartë i vdekjeve ditore ishte 4, raportuar tre ditë (më 25, 27 qershor dhe 6 korrik).

Pesë muaj nën 'pushtetin' e Covid-19, statistikat kryesore

Sezoni turistik dhe flukset e lëvizjeve në zonat bregdetare nxiti më tej transmetimin e infeksionit, ndërsa prirja në rritje nuk u ndal. Muaji i pestë rezultoi me më shumë raste (3,517) dhe vdekje (120) se katër muajt e parë të pandemisë mbledhur bashkë duke e bërë të pakonsiderueshëm faktin se gjatë këtij muaji u raportua rekordi prej 1,670 personave të shëruar.

Mesatarisht autoritetet kryen nga 515 teste duke pikasur çdo ditë të paktën 113 raste me infeksion, ndërkohë që çdo ditë pati mesatarisht 4 viktima (3.9).

Rekordi i rasteve ditore ishte 154 dhe u shënua më 13 gusht, ndërsa ai i viktimave ishte 6 dhe u raportua në të paktën gjashtë ditë (më 25, 27 korrik dhe 3, 5, 6, 9 gusht).

Gjatë kësaj periudhe pati shumë akuza nga opozita për shtrembërim shifrash, mungesë informacioni dhe mungesë përgatitje nga ana e autoriteteve të shëndetësisë. Ndërkohë më 13 gusht një 29-vjeçar i dha fund jetës në spitalin Covid-2 në Shefqet Ndroqi, ngjarje e cila tronditi rëndë opinionin publik. Lexo më shumë këtu.

Në numrin e testeve përfshihen edhe testet serologjike që autoritetet nisën të kryenin në muajin qershor.

Nëse do ta konsideronim epideminë e njëtrajtshme, atëherë do të mund të thoshim se pesëfishimi i testeve për COVID-19 krahasuar me muajin e parë, ka sjellë 8.5 herë më shumë të diagnostikuar.

Të dhëna të paqarta:

Numri i përgjithshëm i rasteve totale me COVID-19 nuk rezulton të jetë i saktë;
të paktën 11 raste me pacientë të infektaur nga COVID-19 (bashkë me vetëvrasjen e 29-vjeçarit), vdekjet e të cilëve nuk u shkaktuan nga COVID-19 nuk figurojnë në rastet e përgjithshme.

Të dhëna domethënëse:

-Koronavirusi u ka marrë jetën tre mjekëve: Rexh Byberi, Hysni Shkjau dhe Arian Pushi;
-më shumë të shëruar në një ditë: 101 raportuar më 11 gusht;
-më shumë raste në një ditë: 154 raportuar më 13 gusht;
-më shumë viktima në një ditë: 6 raportuar më 25 e 27 korrik dhe më 3, 5, 6 e 9 gusht;
-viktima më e re në moshë: 34 vjeç raportuar më 24 qershor;

Masa të rëndësishme:

-prej muajit mars autoritetet ndalojnë aktivitetet shoqërore, politike dhe kulturore që nxisin grumbullime njerëzish në mjedise të mbyllura;
prej 19 korrikut mbajtja e maskës në mjediset e mbyllura është bërë me detyrim;
-prej 20 korrikut qeveria u ndalon muzikën bareve dhe restoranteve pas orës 20:00;
-prej 19 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit për antitrupa në klinika private të certifikuara;
-prej 23 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit me tamponë në klinika private të certifikuara;