Plagosja e 44-vjeçarit në Shkodër, policia zbardh ngjarjen

27.12.2016 09:34:43

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur dje në Shkodër, ku mbeti i plagosur me armë zjarri S.M, ndërsa autori i dyshuar është ende në kërkim.

Policia ka marrë njoftim rreth orës 11:50 nga Spitali Rajonal Shkodër, se kishte shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi S.M. 44 vjeç, banues në Shkodër. Menjëherë nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nga të dhënat paraprake u identifikua vendi i ngjarjes i cili ndodhej në afërsi të hotel “Argenti” në Shkodër, ku në vendngjarje u gjetën 2 gëzhoja model 54, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet procedurale të policisë duke u bazuar tek pamjet filmike të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumentuan faktin se në drejtim të vendit të ngjarjes, autori i dyshuar është nisur me automjetin tip “Mercedez Benz” me targë AA 888 AT, ku dhe më pas dyshohet se ka qëlluar në drejtim të shtetasit S.M. i cili po lëvizte me automjetin tip “Benz” me targë AA 031 NL, ndërsa nga kqyrja e mjetit janë evidentuar dëmtime të shkaktuara me armë zjarri në xhamin e parë. Policia ka mundur të identifikojë autorin e dyshuar, S.D. 29 vjeç, banues në Shkodër.

Ndërkohë i plagosuri ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e motivit të kësaj ngjarje.