Planin e Përgjithshëm Vendor, Veliaj: Projektojmë Tiranën europiane

26.12.2016 12:13:36

Bashkia e Tiranës prezantoi draftin final të planit urbanistik  të cilin e diskutoi sot me të gjithë këshilltarët bashkiak përpara se të kalojë për miratim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në 29 dhjetor.

Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana e viteve të ardhshme sipas këtij plani do të jetë ajo e një kryeqyteti modern europian.

“Ky është një qytet që ngrihet në këmbë dhe që është elastik. Pavarësisht situatave që kanë ndodhur, besoj që viti i fundit ka qenë  një vit që Tirana është ringritur. Është larg ambicies tonë, por megjithatë shpresoj që ky plan me gjithë amendimet që ne mund të bëjmë dhe me të gjithë shtesat, kur ky plan të hyjë në fuqi, do të fillojë të realizohet ambicia jonë për një qytet europian. Minimalisht secili prej nesh, nëse ishte Kryetari i Bashkisë, anëtar i  Këshillit Bashkiak, të ketë mundësi të thotë që sa isha unë në atë detyrë, dhashë kontributin tim maksimal për një Tiranë shumë më dinjitoze sesa ajo që gjetëm”, tha Veliaj. Ai shtoi se është bërë një punë e jashtëzakonshme me këtë projekt i cili merr parasysh të gjitha zhvillimet demografike që ka pësuar dhe që pritet të pësojë kryeqyteti në të ardhmen.

“Vetëm ndryshimi demografik dhe gjeografik i Tiranës, qoftë si shtesë 30 % e popullsisë apo si rritje 25 herë e territorit, nënkupton që një pjesë nuk mund të vlejë për të tërën dhe Tirana urbane që ne kemi sot nuk vlen për të tërën. Ne kishim nevojë absolute për një plan të ri. Jo vetëm kaq. Plani i kaluar parashikonte një Tiranë të ngjeshur nga ana urbane që në 15-20 vitet e ardhshme parashikonte 4.5 milionë banorë. Kjo ne na u duk pak e paarsyeshme. Nuk mund të kemi një Shqipëri e gjysmë vetëm në Tiranë. Nuk i paragjykoj fare motivet, por besoj që i kemi dhënë planit një masë pak më njerëzore duke parashikuar një Tiranë që në vitin 2030 ka 1.5, 1.6 milionë banorë pra rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, por jo diçka jorealiste. Besoj që plani ka përmasa më njerëzore.

Sigurisht që plani është edhe një mishërim i një vizioni që ne kemi si anëtarë dhe përfaqësues të këtij qyteti, pavarësisht bindjeve tona politike. Ne duhet të vendosim a është një ide e mirë ideja e  pyllit obital? Unë besoj që po. Unë besoj që pavarësisht se çfarë secili lë në mandatin e vet, një pajë afatgjatë është diçka që siguron të ardhmen e një gjenerate tjetër”, tha Veliaj.

Veliaj tha se pjesë e planit është Tirana policentrike, ndërsa theksoi se do të ndërtohen sheshe dhe parqe publike edhe në lagjet periferike.

Kryebashkiaku u shpreh se Plani Urbanistik do të ketë impakt dhe në hapjen e shkollave të reja të cilat do të rrisin cilësinë e arsimimit të fëmijëve të kryeqytetit. Veliaj bëri thirrje që debati për Planin Urbanistik të Tiranës të fokusohet tek ai teknik dhe jo  për të bërë politikë.

“Të gjithë bashkë kemi bërë një Tiranë të jetueshme këtë vit. Teksa na është rritur sistemi i banesave,e teksa na janë rritur zonat rezidenciale, bashkitë se kanë mbajtur më hapin. Ndaj dhe plani vendos në hartë sipas dendësisë dhe sipas distancës edhe se ku do të jenë shkollat e reja. Nëse kam një merak të vetëm, është që ta fokusojmë këtë në nivel teknik. Edhe unë si ju vij nga një ekip politik. Por unë besoj se i ka buzëqeshur buza këtij qyteti kur kemi bërë më shumë debat teknik se sa politik”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë tha se për planin e përgjithshëm vendor janë bërë dëgjesa në të 24 njësitë.  “Në të 24 njësitë kemi bërë dëgjesa si në raundin e parë, si në raundin e dytë. Për herë të parë ne kemi pasur një plan urbanistik që është online. Pra, edhe në këtë moment që ne po flasim. Pra nuk është ekskluzivitet vetëm i këtij grupimi, por TR030.com që është faqja e planit Tirana 030 është edhe momentalisht online”, sqaroi Veliaj.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi u shpreh se ky plan urbanistik vjen pas konsultave të vazhdueshme me të gjithë ekspertët. Dalipi theksoi se ky plan urbanistik do të ndikojë në zhvillimin e  Tiranës për vitet e ardhshme.

“Mirëpresim të dëgjojmë sesi Plani trajton dhe rregullon problemet e qytetit, lidhur me gjelbërimin, ambientin, energjinë,transportin,krijimin e qendrave të ndryshme, raportin e periferisë me qendrën kryesore, për më tej konceptin mbi zhvillimin dhe mbrojtjen e tokës nga tendencat e zaptimit në njësitë administrative që përfshijnë fshatrat,duke stimuluar agroturizmin dhe agrikulturën etj, deri te respektimi i hapësirave kulturore dhe  fetare në kryeqytet”, tha Dalipi. Duke e cilësuar si një projekt transparent, kreu i Këshillit Bashkiak u shpreh se nuk ka asnjë dyshim që Tirana sot është një histori suksesi.