Plazhi që rrezikon të zhduket

10.03.2019 14:40:46
Një nga plazhet e bukura të Durrësit rrezikon të zhduket për shkak të erozionit. Brenda pak viteve deti ka hyrë rreth 15 metra në brendësi të tokës.

Ky plazh mund të mos ekzistojë më. Dhe Durrësi rrezikon të ketë një hapësirë më pak. Zona turistike e Porto Romanos po shkon drejt degradimit. Erozioni detar ka avancuar drejt tokës disa metra, duke mbuluar nga uji sipërfaqe të madhe toke.

Këtu deti po përparon frikshëm. Në më pak se një dekadë uji ka avancuar drejt tokës me të paktën 15 metra. Gurët e hedhura masivisht në anë rrugës frenojnë dallgët për të mos gërryer më tokë. Por edhe kjo përkohësisht.

Erozioni detar po shkatërron një zonë turistike mjaft të dashur për vendasit. Sipërfaqe të mëdha toke po kthehen në zona ujore. Gjurmët e gërryerjes detare janë të dukshme. Brezi i parë i bunkerëve të ndërtuar në mesin e viteve ‘70 janë zhytur në ujë. Ndërsa i dyti herë pas here mes dallgëve.

Ndryshimet klimatike dhe zhvillimi urban i pa studiuar mbeten disa prej faktorëve që po zhdukin një nga plazhet kryesore të Durrësit.