Takimi me Ramën, partitë fshehin draftin (Video)

30.12.2016 16:24:41

Po mbahet në fshehtësi drafti zyrtar që u shtrua një ditë më parë në tryezën e përbashkët të thirrur nga kryeministri Edi Rama me krerët e partive shqiptare nga Shkupi. Në mungesë të dokumentit zyrtar, lideri i BDI-së Ali Ahmeti numëroi disa nga pikat që përfshin drafti por nuk qartësoi nëse është diskutuar edhe për formimin e një ministrie për komunitetet në qeverinë e re, siç përflitet në disa media.

“Nuk është diskutuar as për ngritje të ndonjë ministrie, ka ide për organizimin e ri në të ardhmen dhe kjo duhet të shihet, të trajtohet dhe të vlerësohet nga partitë politike. Por që do të ketë ministry të minoriteteve unë këtë nuk e kam dëgjuar, mund të ketë ministri komuniteteve”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Pa arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare rreth platformës së përbashkët të partive shqiptare, Ahmeti tha se partia e tij nuk do të fillojë negociatat për formimin e qeverisë me asnjë parti maqedonase.