Policia me apel për festën e Vitit të Ri

30.12.2016 16:13:34

Policia e Kosovës ka apeluar tek çdo prind që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë në parandalimin e përdorimit në mënyrë të rrezikshme të mjeteve piroteknike nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët, ku si pasojë e përdorimit të tyre duke përfshirë edhe armë të ndryshme në vitet paraprake janë evidentuar edhe incidente me pasoja të rënda.

Policia vlerëson se nga aspekti i rendit dhe sigurisë publike, përmbyllja e këtij fundviti dhe fillimi sa më i mbarë i vitit të ri 2017, është prioritet yni dhe kjo mund të arrihet vetëm me një përkushtim dhe vigjilencë të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë.

“Sikurse edhe viteve të kaluara Policia e Kosovës edhe këtë vit për festat e fundvitit ka përgatitur planin operativ “Fundviti 2016 dhe fillimi i vitit 2017”, për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale të natyrave të ndryshme.

Po ashtu pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në trafikun rrugor si dhe shtimi i prezencës dhe vigjilencës policore në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme ku do të mbahen organizime festive.

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafik Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore që dalin nga ligji për rregullat e trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, kufizimet e shpejtësisë, t’u përshtaten kushteve të rrugës, mos të përdorin telefonin gjatë vozitjes si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të lodhjes dhe alkoolit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, Policia e Kosovës është e përkushtuar të ndërmarr të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme gjatë festimeve të fundvitit.