Poezi nga Alba Huta

27.03.2019 00:55:44

Gjurmë të një të kaluare që s’flaket,
jetojnë tek ne,
dhe rrënjët ende i kanë të thella.

Jemi veshur me stil,
të larë,
të parfumosur,
por brendësuar kemi ca huqe inferioriteti,
e në momentin e parë të motit që nxihet,
dalin të palarat në shesh.

Ecim me shiun rrebesh të viteve që largohen,
mundohemi të zhveshim rrobat e vjetra të kohës,
që janë lagur me kushedi sa lot të pafashmish
dhe nuk kuptojmë ende
se ajo çka ka ndodhur nuk zhbehet,
thjesht duhet të mësojmë prej saj,
si fëmijet prej gabimeve të tyre.

Jemi djegur kushedi sa herë
duke provuar zjarrin,
është koha të flasim drejt,
është koha të ecim vetë,
është koha ta duam veten,
sepse jemi të perkedhelurit e krijimit.
Kjo kohë,
kjo kohë e bekuar nuk vjen më
e po na e mëson vetë rrugën.

Është koha jonë njerëz të së njëjtës gjuhë,
duar që dridhen nga etja për punë,
bashkojini pra!!
mendje që flasin per ide gjenerojnë,
ëndrra të zgjuara gjithandej,
është koha jonë njerëz.

Përplaset e Shkuara me të Tashmen,
janë në duel,
dorashka e sfidës ka mbetur
tek tehu i shpatës të së Ardhmes,
ajo vendos me dorën tonë,
si gjyqtarë të denjë të saj…