Poezi nga Dije Demiri Frangu

04.07.2021 14:52:20

PELENAT E NËNËS

Made in Greece size middle
shkruan në ambalazhin e pelenave të nënës
nën hijen e llambës vajgurore
me copa të mbledhura pëlhurash
tepruar nga fustane nusesh
nëna kishte pas bërë pelenat tona
bëheshim varrë nga cohat e ndryshme
me t’ lyen t’ larës na lyente
na e bekonte lëkuren e ndezur
na lidhte shtrëngueshëm trupat
dhe priste të rriteshim
pelenat e nënës janë
nga ato që thithin shumë ujë e s’ bëjnë skuqje
aso që reklamohen në të gjitha TV-të
janë nga Greqia anipse nëna s’ ka qenë asnjëherë atje
e s’din asnjë këngë greke
mbi kokë i rrimë i numërojmë frymëmarrjen
zogj të mërzitur mbi sytë e saj t’ mbyllur
nëna kishte pas vendosur t’ fluturojë
nuk kishte thyer kurrë asnjë normë
ndaj s ‘donte të rritej dy herë
(Maj, 2017)