Poezia “Liria” e Bedri Gjinajt, nuk është pjesë e librit me poezi të Agim Ramadanit

10.04.2019 00:44:27
PËR HIR TË KORREKTËSISË
Poezia e Bedri Gjinajt, me titull LIRIA, e publikuar diku mes viteve 1942 – 1943, në Tiranë, e që qarkullon nëpër rrjete e nëpër artdashës të shumtë viteve të fundit, nuk i përket krijimtarisë poetike të Agim Ramadanit, asaj që ka mbetur, apo dhe asaj krijimtarie poetike që është publikuar në këto 20 vite. Kjo poezi, e përfolur dhe e bartur andej e këndej , nuk është pjesë e librit me poezi të Agim Ramadanit, “Një jetë tjetër”, redaktuar nga Ali Podrimja. Madje, këto vargje – amanet, nuk gjenden as në Monografinë tri vëllimëshe për Agim Ramadanin, “Agimi i lirisë” 1,2 e 3, përgatitur nga shkrimtari Ibrahim Kadriu e, ku janë thuaja në tërësi poezitë e mbetura në dorëshkrim të Agim Ramadanit. Agim Ramadani, për të gjallë të tij, në asnjë mënyrë nuk i ka përvetësuar këto vargje. Ka mundësi që krejt dikush tjetër, gjatë përgatitjeve të pllakateve të shumta për Agim Ramadanin, t’ia ketë bashkangjitur si ilustrim këto vargje amanet të Bedri Gjinajt, të cilat si askund tjetër, i përngjajnë betimit dhe veprimtarisë atdhetare të heroit tonë, në luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, e cila kulmoi me Betejën e Koshares dhe shkuljen e gurëve që ndanin shqiptarët. Librat që i përmenda më lart, janë nëpër biblioteka tona, në Kosovë e gjetiu, pastaj nëpër krijues e nëpër miq e studiues të shumtë dhe mund të verifikohen në çdo kohë.
( 9 Prill 2019 )