Poezia si një dimension i ndergjegjes dhe vetëdijes se devollianëve

26.02.2019 23:16:50

Nga Mark Simoni

Nëse është një argument që njeriu nuk e ka në dorë ta vendosë, ai është zgjedhja e vendlindjes. Fatet e tjera ne i gjejmë apo i krijojmë në jetë e sipër. Vendlindja na ndjek tërë kohën jo vetëm me emrin e saj, por me imazhet e para që ne shohim, me frymëzimet e bukura, me historitë trallitëse, me letërsinë orale që dëgjojmë pikësëpari nga më të rriturit, na tërheq e trondit me dashuritë dhe mëritë zanafillore. Në qenien tonë hyjnë me dimensionin e tyre tërë pyjet, përrenjt, lumenjt, fushat e malet që na rrethojnë, dhe brenda nesh bëhet koshiencë gjeografia mbi të cilën ne shkojmë jetën. Aty frymëzohemi, marrim harlisje të imazheve, gazmohemi e hidhërohemi patjetër. Në atë botë të vogël ne përceptojmë përmasat e botës së madhe. Vendlindjet janë të bukura përherë sepse ato përceptohen që në fëmijëri, dhe fëmijëritë janë po kaq të hijshme e të këndëshme. “Pasuri për fëmijën është fëmijëria e tij dhe vendlindja”- thotë Mark Tuen.
Sapo merr në dorë antologjinë poetike të Devollit, e ndjenë tërë arsenalin që kjo vendlindje ka prodhuar për krijuesit e saj, merr paketën e frymëzimeve, jehonave të brendshme, relievin e harlisur, imazhet, frymën dhe muzën që vjen nga ai vend.
Edhe nëse nuk ke qenë asnjëherë në Devoll, pas ditës që lexon tërë këto poezi, kurrë s’mund të thuash se nuk e kam parë atë zonë të bekuar, të bukur, mistike e përrallore njëkohësisht, plot ngjyra dhe stinë, fushnaja dhe kodrina interesante, botë të bukura njerëzish. Ashtu siç mblidhen në një herbarium, flora e një vendi, Kosta Nake ka zgjedhur me shijen e tij të kultivuar shëndritjet poetike të autorëve, i ka vënë aty, siç vihen në ndërgjegjen tonë gjërat e bukura dhe të shenjta. 
Patjetër që në krye të korpusit të këtij libri është zëri potent i Dritëro Agollit, vokacioni i tij i përjetshëm i shenjtërisë së mardhënies që kishte ky poet me vendlindjen. Ai është zëri mbi mal që shugullon, që është opusi i zërit brilant të Devollit, është një nga brilantët, që drejtoi korin e autorëve devollinj. Agim Isaku tasta moderne e tastjerës me plot nota të poezive të këtij vëllimi. Lirizmi i Skender Rusit sjell atë ekuilibër që sjell natyra për botën mbarë. Demir Gjergji me tema interesante dhe trajtime të veçanta, Luan Xhuli si njeriu i frymëzuar pikërisht nga muza e atij areali, Teodor Keko si zëri i ndërgjegjes së largët krijuese, që e lidh me atë abitat tjetërlloji, Thani Naqo me poezitë e tij të thukta e tërë nerv e grintë, Lida Lazaj me vargje të mallit dhe gjeografisë së bukur të atij vendi, Entela Kasi që, pavarësisht se rrok tema me dimensione të tjera, heq paralele me vendlindjen, Gjergji Dushku me tema të bukura e të stiluara mirë. Poeti Bashkim Gjoza është një variant krejt tjetër, që i jepte natyrës përmasa universale, dhe e bënte sa devollie aq dhe prej stepash ruse, duke na dhënë të kuptojmë se Devolli nuk është aq sa duket fizikisht, (me ato shelgjishtat dhe pyllin e vogël), por shumë më tepër. Eliverta Kanina, (sot një nga poetet më interesante dhe të veçanta shqipëtare), që ka një poezi filozofike, të shkruar me nëntekst, të rrëfyer bukur, harlisje ndjesishë dhe percepsionesh, dhe që i jep poezisë së Devollit një dimension krejt tjetër. Erosi i fshehtë, konceptet e lirisë së ideve dhe shperfaqjes së tyre publike, delikatesa dhe gjendjet fine tek femra, janë pjesa me e emancipuar që e bën letërsisnë e sotme shqipe, që emrin e kësaj poeteje ta ketë ndër emrat më përfaqësues dhe garant të poezisë moderne. Arben Shaholli me poezi sociale dhe intime të shkruara me rimë dhe ritëm të admirueshëm, Pëllumb Pasholli që shquhet për temat sociale që ka në targetin e teksteve të tij letrar, Skender Demolli që sjell fabula shumë kuptimplote, që zgjojnë tek lexuesi referenca për fenomenet që i hasim çdo ditë, Skënder Kodra me lirikat e tij të trajtaur me finesë, Niko Gjiriti na sjell me tekstet e tij imazhe dhe përfytyrime mjaft interesante, Llaqi Zoto që ka një mardhënie afektive të dukshme me natyrën dhe e përcjell gjithë delikatesë tek lexuesi. Edmond Agolli vjen i plotë, me tërë furinë e tij poetike, me tema të përzgjedhura nga fondi i tij më i mirë, një fond që është për tu përshëndetur, Arjena Duçi që ka një frymëzim të lehtë e transparent si vetë mosha e saj, Fatos Hoxha që na sjell edhe me një grusht poezishë tema nga më të gjërat, që kap gjithë spektrin e krijimit, që nga idili dhe dashuria e deri tek shqetësimet dhe gjykimet sociale. Merita Bajraktari ka ngjyrat e shumta të poezisë që e rrezëllisin këtë antologji. Fatos Pajo sjell tema detaiste, të trajtuara me kujdes dhe bukur, Endri Fifo alternon poezinë dhe temat fabuleske, duke i dhënë lexuesit një atmosferë letrare të këndshme, Vera Isaku vjen me një poezi sa elegante e delikate aq dhe të pushtetshme si filozofi. Antela Spaho me etydin e saj i jep antologjisë brishtësinë, elegancën, delikatesën dhe atë pjesën më fragile që ka kjo autore, Rina Kolonja-Mytkolli vë në dorën e lexuesit poezi dashurie, malli dhe nostalgjie, Fuat Memelli tregon se e administron me kujdes tekstin e shkruar, dhe ka në të pigmentin e distancës, mallit dhe ndjenjës së fortë, Jonida Diko ka një mardhënie të çuditëshme me natyrën dhe e pikturon shumë bukur atë me një fjalor të përzgjedhur, Petraq Samsuri ka poezi gjithë shqetësim dhe sarkazëm njëkohësisht, ku bien në sy loja me veset dhe karakteret, Manushaqe Menkulasi ka një vokacion ku ndërthur në mënyrë alternative shijet tradicionale, mallin, dhe ndjenjat, Arjan Larashi trajton hijshëm dashurinë si një argument letrar, Luan Palla është një krijues me tema idilike dhe bukilike, Gëzim Medolli sjell një shije të veçantë temash, Fejzi Zenelaku ka një profil të gjërë të trajtimit tradicional të letërsisë, Marie Sulçe poezi delikate, Llazi Nestori sjell një shije origjinale të krijimeve të tij, Ali Gega lirik dhe ndërtime tjetërsoji të lëndës poetike, Gëzim Hashimi poet i ndjenjës dhe mardhënies me temat interesante, Stavri Afezolli shkruan në mënyrë artistike për realitete të njohura, Nizami Morava trajton hijshëm ndjenjat dhe përditësinë, Admir Nake pavarësisht se shkruan me varg të rimuar është modern në percepsion, Sandrila Stefani (Gjata), na kujton shijen dhe aromën e serenatave me poezitë e saj të bukura, Rediana Kutrolli ka një afeksion të çuditshëm me natyrën dhe stinët që i stilon bukur në tekstet e saj poetike, Banush Lami ka një frymë tradicionaliste dhe të shkruara e kuruara me kujdes vargjet e tij, Shkëlqim Jazxhi sjel me tri poezi raportet e tij me vendlindjen, Nazar Metolli shkruan bukur rreth raportit të ëndërrës dhe kujtesës si argumente psikologjike dhe ndjesore, Sali Zaimi që sjell gjendjet sociale dhe harmoninë me unin poetik si çast vështrimi. Christopher Barber-in e kam patur mik. Ai sjell në këtë antologji një dimension tjetër të vështrurit të gjërave. Realiteti devolli është një realitet që e frymëzon, e harlis në subjekte, e ngazëllen në ngjarje, e bën shqiptar amerikanin që nuk i ka dot këto realitete poetike atje në Amerikën e tij. Një poete interesante është dhe Rezarta Aliko (Tomori) që e përcjell ndjesinë e saj letrare nëpërmjet gjendjeve idilike, apo Erlis Xhaho që e ka ciklin e tij të mbajtur në regjistrin e gjendjeve dashurore. Vendlindja është targeti poetik i Erigert Dangllit, që shkruan me aq brishtësi dhe kujdes. Urim Xheko ka shumë mall dhe ndjenjë të dhimbëshme distance në letërsinë e tij, pikërisht nga fakti që ai është jashtë atdheut dhe Devollit të tij. Melankoli dhe shqetësim social ka poezia elegante e Valentina Dikos, po ashtu si poezitë e Hysen çfligut që kanë mbartjen e temave që shqetësojnë shoqërinë dhe poetët. Meti Fidani e ka në mbiemrin e tij bulëzimin e poezive të brishta dhe interesante njëkohësisht, që bulojnë sythe, gjethe dhe fruta. Luan Kalana, pavarësisht se në këtë antologji përfaqësohet me një poezi të vetme, ai ka një opus të tërë temash në letërsinë e tij të vargut, që i japin dimension interesant poezisë devollite. Kosta Nake ka në këtë libër vetveten, edhe si selektor i poezive të të tjerëve, (ku shpreh shijen përsonale të përzgjedhjes), por dhe tri poezi, të marra si kampione nga dimensionet e krijimtarise që ka ky autor. Gjeografia si ndjesi, dashuria si regjister afektiv dhe raportet me letërsinë interesante të traditës e përfaqësojnë këtë autor me dinjitet në këtë antologji. Juola Kamenica (Hibo) vjen krejt interesante me subjektet e saj poetike, moskokëqarëse dhe ekstravagante, një poete e formuar dhe që na sjell ndjesi të mira estetike me artin e saj, Poeti Ilia S. Larti mbyll librin me dinjitetin e një poeti që të jep shijen e mirë kur përfundon një lexim. Stili i tij, mënyra e vargëzimit janë për tu përshëndetur.
Sa me dinjitet do të ishin poetët shqipëtar sikur të ishin përfshirë në libra të këtij formati dhe targeti. Ato do të ndjeheshin tejet të përfaqësuar, me krenarinë e pjesmarrjes në një kontribut intelektual siç është letërsia e vargut. Bukur Kosta Nake që bëre një punë kaq cilësore, për të ngritur godinën e poezisë devollite, si një prej gjeografive më interesante të poezisë shqipe.