Policia arreston një vajzë dhe të dyshuarin për vrasjen e 16-vjeçarit Aulon Zeka

17.09.2017 20:20:11

Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e mbrëmjes së të dielës dy persona, në kuadër të hetimeve për rastin e vrasjes së 16-vjeçarit Aulon Zeka.

Me rekomandim të Prokurorit të Shtetit, dy të arrestuarit janë dërguar në Qendrën e mbajtjes për 48 orë.

“Ndaj dy të arrestuarve, një femër dhe një mashkull, që të dy të mitur, policia po zhvillon hetimet lidhur me dyshimet e ngritura nëse të njëjtit ndërlidhen në ndonjë formë me rastin në fjalë”, ka thënë Borovci, që ka raportuar më herët se i dyshuari kryesor për vrasjen është një i ardhur nga Amerika, G.H., me të cilin kishte pasur edhe një herë tjetër probleme.

Auloni, i cili ka edhe një motër e vëlla, u vra me katër plumba, të shtunën në Prishtinë. Trupit të tij i është bërë obduksioni, ndërsa varrimi është kryer të dielën në orën 17:00.